Një studim i ri i publikuar në “Molecular Psychiatry” po ngre pikëpyetje të forta mbi ndikimin e pasurisë dhe statusit social në mënyrën si funksionon truri i njeriut.
Sipas kërkimit, i cili analizoi mbi 35,000 pjesëmarrës nga “UK Biobank” në Britaninë e Madhe, personat me status më të lartë ekonomik shfaqin ndryshime të dukshme në zonat e trurit që lidhen me përpunimin e emocioneve dhe perceptimin social.
Ekspertja Elizabeth Mateer nga “Harvard Medical School” thekson se pozicioni social nuk është vetëm një çështje ekonomike, por është “i gërshetuar biologjikisht” në mënyrën si funksionon truri.
Sipas saj, fuqia dhe privilegji i vazhdueshëm mund të ndikojnë gradualisht në mënyrën si individët perceptojnë të tjerët, duke ndryshuar rëndësinë që i japin emocioneve dhe përvojave sociale.
Studimi sugjeron se kur një person përballet më rrallë me pasoja për veprimet e tij, truri ka më pak “stërvitje” për të kapur sinjalet e imta emocionale të të tjerëve.
Kjo nuk është një zgjedhje e vetëdijshme, por një prirje neurokognitive që ndikon në mënyrën si marrim vendime dhe si gjykojmë situatat sociale.
Rezultatet hedhin dritë mbi një aspekt më pak të diskutuar të pasurisë: ndikimin e saj në empati. Për studiuesit, kjo tregon se statusi social nuk formëson vetëm stilin e jetesës, por edhe mënyrën si përjetojmë dhe kuptojmë botën përreth.