Aktualitet

Të shtëna me armë zjarri në Shkodër, vritet një person!

Një atentat me armë zjarri ka rezultuar fatal për 47-vjeçarin Prek Tonaj këtë mbrëmje në fshatin Grudë e Re në Shkodër. 47-vjeçari, punonjës i Ujësjellësit të Shkodrës është qëlluar me breshëri kallashnikovi duke gjetur vdekjen e menjëhershme nga një person ende i paidentifikuar. Viktima, mësohet se ka lënë pas 4 fëmijë.

Rreth orës 19:15,  një person i paidentifikuar i afrohet lokalit në fshatin Grudë e Re dhe hap zjarr ndaj Prek Tonajt. 47-vjeçari mori plagë të shumta në pjesën e sipërme të trupit, çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Menjëherë pas vrasjes, autori edne i paidentifikuar është larguar nga vendngjarja ndërsa policia ka ngritur disa pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e tij.

12 vite më parë, Prek Tonaj arrestohet së bashku me dy persona të tjerë. Sipas Policisë, asokohe 47-vjeçari do të kryente një vrasje, për motive hakmarrje, por përfundoi në prangat e policisë së bashku me dy të tjerët në fshatin Vuksan të Shkodrës.

Në vitet ’90, Prek Tonajt i vrasin njërin nga vëllezërit në Dukagjin të Shkodrës. Pak vite më vonë, 47-vjeçarit i vrasin edhe vëllain tjetër në burg. Nuk dihet nëse kjo ngjarje e 11 viteve më parë ka lidhje me ekzekutimin e sotëm të Tonajt.

Policia e Shkodrës ka ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të vrasjes së 47-vjeçarit Prek Tonaj. Gjithashtu kanë nisur edhe hetimet për ngjarjen e rëndë që tronditi vendin.