Aktualitet

Ekzekutohet i moshuari në Shkodër, 76 vjeçari u qëllua me armë në lokalin e tij

Disa të shoqëruar ndërsa blutë ende nuk kanë një pistë zyrtare për vrasjen e mbrëmshme në Shkodër ku humbi jetën një 74 vjeçar. Viktima Lulash Qepuri u ekzekutua nga një person në lokalin në pronësi të tij. Autori ka qenë i maskuar dhe pasi ka qëlluar në drejtim të të moshuarit është larguar. Qepuri ka shkuar në spital në gjendje kritike për jetën, por nuk u ka mbijetuar dot plagëve të rënda.

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Shkodër, ku për pasojë ka mbetur i vdekur një person.

Mësohet se viktima është  Lulash Qepuri rreth 76 vjeç, i cili është qëlluar me armë zjarri teksa ndodhej brenda lokalit të tij në fshatin Stom Golem të Shkodrës.

Ai ka shkuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, por ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:40, ndërsa ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes së rëndë, e as autorët. Siç duket edhe në pamjet e mëposhtme, në vendin ku u qëllua i moshuari duket një armë e hedhur në tokë.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po kreh zonën, ndërsa nuk dihet nëse ishte atentat, apo një konflikt i çastit.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur 26 gëzhoja si dhe shotgun me të cilin është kundërpërgjigjur djali i viktimës, tashmë i shoqëruar nga policia.

Qepuri rezulton i arrestuar në vitin 2011, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë dhe lokalin e tij në atë kohë i është gjetur drogë dhe kallashnikov. Konkretisht policia i ka sekuestruar në atë kohë 1 armë zjarri Automatik mod.56, 1 armë zjarri tip Revolver shtatëshe, 262 copë fishekë të modeleve të ndryshme, fitila zjarr përcjellës, 111 copë kapsolla detonatorë, si dhe një qese prej 55 gram me fara të bimëve narkotike kanabis sativa.