Bota

Të tjera probleme ligjore për Nobelisten e Paqes, Narges Mohammadi në Iran!

Narges Mohammadi, iraniania e cila fitoi Nobelin për Paqe e që vijon të qëndrojë në burg, po përballet me një gjyq të ri mbi akuzat nga  forcat e sigurisë të Republikës Islamike. Gjyqi që pritet të fillojë nesër, i referohet denoncimit të saj për një “luftë në shkallë të gjerë të regjimit kundër grave në Iran”.  Mohammadi ftoi njerëzit të ndajnë historitë e tyre të arrestimeve e dhunës seksuale nga autoritetet. Në këtë proces duhet të përgjigjet për “propagandë kundër regjimit”.

E ndaluar në burgun Evin të Teheranit, përmendi rastin e gazetares dhe studentes Dina Ghalibaf, e cila sipas grupeve të të drejtave të njeriut, u arrestua pasi akuzoi forcat e sigurisë për pranga dhe sulme seksuale ndaj saj gjatë një arrestimi të mëparshëm në një stacion metroje.

Mohammadi ndodhet në burg prej nëntorit të vitit 2021 dhe ka vite nuk takohet me bashkëshortin dhe fëmijët e saj binjakë që jetojnë në Paris. Tashmë po vuan heqjen e lirisë në bazë të disa dënimeve të dhëna vitet e fundit.

Sipas familjarëve, dënimet e saj arrijnë në 12 vjet e tre muaj burg, 154 kamxhik, dy vjet internim dhe kufizime të ndryshme sociale e politike. Prej kohësh, aktivistja ka qenë një kundërshtare e vendosur e detyrimit të grave iraniane për të veshur mbulesë e vazhdoi fushatën e saj edhe në burg, duke refuzuar të mbajë hixhabin para zyrtarëve meshkuj.

Dhjetëra gra janë arrestuar në Iran në javët e fundit për shkak se nuk e kanë veshur mbulesën e detyrueshme islamike të kokës. Autoritetet iraniane po e forcojnë zbatimin e detyrueshëm të ligjit të debatuar lidhur me hixhabin dhe po lufton të dyshuarat për shkelje.

Për këtë çështje u mbajtën protesta masive e që e tronditën Iranin në vitin 2022. Homa (emri jo i vërtetë i saj), një nënë 42-vjeçare e dy fëmijëve, foli për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, për atë se si është ta pësosh nga kjo shtypje.

Po kthehesha nga shtëpia e nënës sime dhe kisha bërë blerë ca gjëra. Po i mbaja në dorë qeset me sende pazari në njërën dorë dhe çelësat në dorën tjetër, për ta hapur derën time. Shamia e kokës më kishte rënë më poshtë.

Një burrë me motoçikletë kaloi pranë dhe më tha: “Zonjushë, vendose shaminë në kokë përsëri!”. Unë i thashë: “Jo!”. Ai ma kërkoi përsëri, por e shpërfilla. Ai nxori telefonin e pastaj më fotografoi. Pa humbur kohë, një furgon i “Policisë së Moralit” u shfaq.