Një natë më parë, në Zveçan u krye një sulm me një mjet shpërthyes, që sipas Policisë së Kosovës dyshohet të ketë qenë shok-bombë. Në raportin 24 orësh të forcave të rendit thuhet se ky mjet plasës është hedhur nga persona ende të paidentifikuar. Në njoftim theksohet:
Nuk raportohet për të lënduar e as dëme materiale. Lidhur me rastin janë angazhuar njësitë kompetente policore për procedura të mëtejme hetimore.
Ditët e fundit janë shpeshtuar rastet e hedhjes së shok-bombave në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Autoritetet thanë se mbrëmjen e 16 qershorit janë hedhur dy të tilla në Mitrovicën e Veriut, pranë stacionit policor në afërsi të Shkollës Teknike.
Po të premten e kaluar, shënjestër e sulmeve me shok-bomba ishin stacioni policor në Zveçan dhe ai në Mitrovicë të Veriut. Nga këto sulme nuk janë raportuar të lënduar.
Sulmet me shok-bomba po ndodhin në kohën kur janë rritur tensionet në veri të Kosovës.
I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se do të udhëtojë në Uashington të SHBA-ve, për të zhvilluar bisedime lidhur me situatën në veri të Kosovës. Zyrtari europian kërkon të ndërmerren hapa të menjëhershëm për t’i dhënë fund përshkallëzimit të situatës. Në një postim në “Facebook” ku nuk jep shumë detaje shkruan:
Do të shkoj në Uashington me ftesë të partnerëve të mi amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe për hapat e menjëhershëm.
Lajçak shtoi se gjatë javës ka njoftuar Brukselin për vizitën e zhvilluar në Kosovë dhe Serbi së bashku me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai bëri të ditur se për situatën në Kosovë ka biseduar edhe me numrin dy të NATO-s, Mircea Geoana.
Të dy jemi pajtuar se duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm që duhet të zbatohen për përshkallëzimin e situatës.