Frigoriferi është një nga pajisjet më të rëndësishme në çdo kuzhinë. E përdorim çdo ditë, por shumë prej nesh nuk e dinë se mund ta jemi duke e përdorur gabim. Sipas një eksperti në TikTok, shumica e njerëzve neglizhojnë një pjesë shumë të rëndësishme të frigoriferit, rregullatorin e temperaturës, atë rrotullën me numra që ndodhet brenda pajisjes. Injorimi i saj mund të çojë në prishjen më të shpejtë të ushqimeve, shfaqjen e lagështisë, grumbullimin e akullit dhe konsum më të lartë të energjisë elektrike.
Rritja e ndjeshme e faturave të energjisë është bërë një nga shqetësimet kryesore për shumë familje dhe shumë njerëz po përpiqen të minimizojnë sa më shumë përdorimin e energjisë për të ulur kostot mujore. Këto përpjekje mund të përfshijnë fikjen e pajisjeve që nuk përdoren, ngrohjen vetëm të disa dhomave të caktuara apo shmangien e përdorimit të tharëses elektrike, por ka disa pajisje që përdoren vazhdimisht dhe që për këtë arsye kanë një ndikim të madh në faturat e energjisë.
Një shembull i tillë është frigoriferi, i cili është një nga pajisjet që rrallëherë fiket dhe zakonisht qëndron i ndezur gjatë gjithë vitit. Frigoriferi është i domosdoshëm për të ruajtur një temperaturë konstante dhe për të mbajtur ushqimin të freskët e të sigurt, por nëse nuk kontrollohet dhe mirëmbahet siç duhet, mund të konsumojë më shumë energji sesa është e nevojshme. Një kompani e specializuar në kuzhina, Olive and Barr, ka theksuar:
“Ndër të gjitha pajisjet në shtëpi, frigoriferi është një nga ato që qëndron gjithmonë në punë. Prandaj është shumë e rëndësishme të kontrolloni rregullisht temperaturën e tij. Nuk është e nevojshme ta bëni këtë çdo javë, por të paktën një ose dy herë në çdo stinë për t’u siguruar që funksionon në mënyrë efikase”. Ekspertët sugjerojnë vendosjen e një termometri në qendër të frigoriferit për rreth 24 orë. Më pas, në bazë të leximit, duhet të rregullohet temperatura e frigoriferit për të qëndruar në intervalin 3°C deri në 4°C.
Përdorimi i një termometri do të tregojë temperaturën e saktë të brendshme, pasi shpeshherë rregullimet me butonin e temperaturës mund të mos jenë të sakta. Është shumë e rëndësishme të rregulloni temperaturën e frigoriferit, sepse temperaturat e larta shpërdorojnë energji, ndërsa temperaturat më të ulëta se sa duhet mund të rrisin gjithashtu konsumin e energjisë.