Vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, me mot kryesisht të kthjellët dhe temperatura të larta.
Sipas parashikimeve meteorologjike, gjatë kësaj fundjave termometri pritet të arrijë deri në 35 gradë Celsius, ndërsa e njëjta situatë do të vijojë edhe në fillim të javës së ardhshme.
“Vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, ashtu si sot por edhe për fundjavën, përfshirë fillimin e javës së ardhshme moti do të jetë i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit. Por pa përjashtuar vranësirat e pakta-mesatare kalimtare, ndërsa në relievet malore do të ketë reshje shiu me intensitet të ulët. Temperaturat do të variojnë nga 33–35 gradë Celsius përgjatë ultësirës perëndimore,” tha Elvi Jahaj nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Sipas tij, në zonat malore temperaturat do të luhaten nga 30–32 gradë Celsius, ndërsa në orët e mëngjesit pritet freski relative, me vlera nga 10 deri në 13 gradë në relievet malore dhe 14–18 gradë në ultësirën perëndimore.
Era do të fryjë me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa në ditë të caktuara mund të arrijë deri në 14–15 m/s. Temperaturat aktuale, sipas specialistëve, janë 1–3 gradë Celsius mbi mesataren mujore klimatike.