Sinoptikanët thonë se Greqia pritet të përballet me fundjavën më të nxehtë të korrikut në 50 vitet e fundit, ndërsa temperaturat e larta do të vijojnë dhe javën e ardhshme. Qeveria i ka këshilluar njerëzit të punojnë nga shtëpitë në rastet kur kanë mundësi e po ashtu, të mos dalin në rrugë, nëse nuk është e nevojshme.
Temperaturat tejet të larta nënkuptojnë se qendrat kryesore turistike, përfshirë Akropolin do të jenë të mbyllura në periudhën më të nxehtë. Meteorologu Panagiotis Giannopoulos:
Kjo fundjavë rrezikon të jetë më e nxehta e regjistruar në korrik në 50 vjetët e fundit. Athina do të regjistrojë temperaturë mbi 40 gradë Celsius për gjashtë deri në shtatë ditë, deri në fund të muajit korrik.
Një periudhë kaq e gjatë me temperatura shumë të larta, nuk është e zakonshme për kryeqytetin e Greqisë.
Autoritetet greke kanë raportuar se zjarrfikësit janë duke luftuar me 79 zjarre pyjore në të gjithë shtetin. Ndërkaq është paralajmëruar se vendi fqinj do të jetë në gjendje alarmi përgjatë fundjavës.
Një ditë më parë, Turqia bëri të ditur se do të dërgojë dy avionë dhe një helikopter në vendin fqinj, për të ndihmuar në luftën ndaj zjarreve. Siç dihet, Greqia është vetëm një prej shteteve në Europë që po përballen me të nxehtin ekstrem që ka përfshirë globin në ditët e fundit.
Ndërsa disa vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, po përvëlohen nga temperaturat e larta e zjarret, Bosnjë-Hercegovina e Kroacia nuk po gjejnë paqe nga moti i keq. Dje një stuhi e fuqishme goditi pjesën veriore, përkatësisht Banja Lukën, Shamacin e Oxhakun në Bosnjë. U raportua se në Banja Lukë, erërat shkulën dhe pemët.
Stuhitë goditën dhe disa zona të Krocisë, mes tyre Istrian e kryeqytetin Zagreb. Nga erërat, një person mbeti i plagosur në Novigrad. Në Kvarner e Istria pati shumë dëme të shkaktuara nga erërat. Pemë të rrëzuara, makina të dëmtuara, ndërprerje të energjisë elektrike dhe rritje e nivelit të ujit në rrugë janë disa prej pasojave. Autoritetet kroate bënë të ditur se morën mbi 300 telefonata nga qytetarët që ankoheshin lidhur me dëmet e një dite më parë.