Rajoni

Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina, sërish goditen nga stuhia/Paralajmërime në Serbi!

Ndërsa disa vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, po përvëlohen nga temperaturat e larta e zjarret, Bosnjë-Hercegovina e Kroacia nuk po gjejnë paqe nga moti i keq. Dje një stuhi e fuqishme goditi pjesën veriore, përkatësisht Banja Lukën, Shamacin e Oxhakun në Bosnjë. U raportua se në Banja Lukë, erërat shkulën dhe pemët.

Stuhitë goditën dhe disa zona të Krocisë, mes tyre Istrian e kryeqytetin Zagreb. Nga erërat, një person mbeti i plagosur në Novigrad. Në Kvarner e Istria pati shumë dëme të shkaktuara nga erërat. Pemë të rrëzuara, makina të dëmtuara, ndërprerje të energjisë elektrike dhe rritje e nivelit të ujit në rrugë janë disa prej pasojave. Autoritetet kroate bënë të ditur se morën mbi 300 telefonata nga qytetarët që ankoheshin lidhur me dëmet e një dite më parë.

Paralajmërime për motin edhe në Serbi

Një ditë më parë, Instituti Hidrometeorologjik i Serbisë dha një paralajmërim urgjent për motin në orët në vijim. Sipas parashikimeve të sinoptikanëve, një stuhi e fuqishme është duke u zhvendosur nga rajoni i Osijekut, përmes Savës, për në Serbi.

Vetëm dy ditë më parë, në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e në Slloveni humbën jetën gjashtë persona, si pasojë e një stuhie me erë e shi, që sipas autoriteteve nuk është regjistruar prej dekadash. Qindra persona mbetën të plagosur e dëmet ishin të konsiderueshme.

Për sot, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Temperaturat do të jenë të larta dhe kohëzgjatja e orëve me diell do të mbizotërojë në të gjithë territorin, si rezultat i depërtimit të masave ajrore me origjinë afrikane. Moti parashikohet të vijojë i kthjellët në të gjithë territorin, me përjashtim të vranësirave të pakta kalimtare në majat e maleve. Temperaturat luhaten 20-41 gradë celcius, ndërsa Berati do të jetë qyteti më i nxehtë për sot, me termometrin që shënon deri në 41 gradë.