Një tërmet i fortë me magnitudë 6.1 i shkallës Rihter, sot goditi zonën pranë Neapolisit, në prefekturën e Lasithit, duke shkaktuar shqetësim të madh në mesin e banorëve të Kretës e përtej saj. Lëkundjet u ndjenë edhe në rajonin e Atikës, përfshirë Athinën.
Nga lëkundjet, banorët u zgjuan në panik, duke dalë jashtë banesave. Dëshmitarët raportuan një gjëmim të fuqishëm pas dridhjeve të tokës ndërsa imazhet video treguan pamje të kabllove elektrikë e makinave duke u dridhur gjatë tërmetit, shkruan Prothotema.gr.
Në disa supermarkete, produktet ranë nga raftet, duke shkaktuar dëme materiale. Pasgoditjet nuk kanë munguar pasi vazhdon aktiviteti sizmik në zonë me tërmete me magnituda që variojnë nga 2.5 deri në 3.5 Rihter.





Shërbimet zjarrfikëse u vunë në patrullim aktiv për të kontrolluar gjendjen në terren, ndërsa rrëshqitje të vogla dheu u konstatuan në rrugët provinciale. Në rrugën “25 Gushti” në Heraklion, një pjesë e një ndërtese u shemb pjesërisht, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.
Bashkitë e Heraklionit e Lasithit kanë urdhëruar inspektime në institucionet arsimore, megjithatë nuk është raportuar ndonjë problem serioz. Në një deklaratë zyrtare, Bashkia e Heraklionit njoftoi se të gjitha strukturat e saj janë në gjendje gatishmërie, duke bërë thirrje që qytetarët të ndjekin udhëzimet zyrtare e të shmangin zonat me rrezik.