Tërmet me magnitudë 6 i shkallës Rihter në Greqi. Lëkundja u regjistrua në orët e para të mëngjesit rreth 01:50 minutave, në zonën detare mes ishujve Kretë, Kasos e Karpathos. Dridhjet e tokës shkaktuan panik te banorët e ishujve të Egjeut jugor e në Kretën lindore, aty ku edhe u ndje veçanërisht, megjithëse epiqendra ishte në një thellësi prej 60 kilometrash.
Po ashtu, lëkundjet u ndjenë në disa zona të Atikës e përgjatë bregdetit të Turqisë. Deri tani, për fat të mirë, nuk ka raportime për të lënduar apo për dëme materiale, ndërsa sizmologët shprehen se pavarësisht fuqisë së lëkundjes, tani afër nuk pritet vazhdim i aktivitetit sizmik.
Kreu i OASP-it, Organizatës për Planifikimin Antisizmik, Efthymios Lekkas theksoi se bëhet fjalë për një tërmet që ndodhi pikërisht mbi harkun grek, pra në vendin ku përplasen pllakat tektonike europiane e afrikane dhe se nuk ka asnjë lidhje me tërmetet në Santorini apo me atë në Turqi.