Vazhdon kaosi në Venezuelë pas dy tërmeteve shkatërrues 7.2 dhe 7.5 Rihter të 24 qershorit. Deri më tani janë 1 mijë e 430 viktima siç konfirmohet zyrtarisht. Në rrënoja po gërmohet me duar.
Një djalë 11-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat në Caraballeda, në veri të vendit, tre ditë pas dridhjeve që shkatërruan rajonin.
Njoftimi u bë nga presidentja e përkohshme e vendit, Delcy Rodriguez.
Një djalë 11-vjeçar u nxor i gjallë nga Caraballeda. Tani për tani, çdo jetë është një burim shprese për Venezuelën, shkroi Rodriguez në X.
UNICEF vlerëson se 1.8 milion njerëz, mes tyre 680,000 fëmijë, kanë nevojë për ndihmë humanitare pas dy tërmeteve që goditën Venezuelën.
Në bashkëpunim me qeverinë venezueliane, sistemin e Kombeve të Bashkuara e të tjerë partnerë humanitarë, UNICEF-i ka nisur një reagim emergjent, duke shtuar staf dhe mobilizuar ndihmë për të arritur te afro 650 mijë njerëz, përfshirë 234 mijë fëmijë.
Një ditë më parë, një dërgesë e parë ajrore e UNICEF-it u çua nga depoja rajonale në Panama, me furnizime mjekësore, ujë dhe tenda, ndër të tjera. Një dërgesë e dytë ndihme pritet të shpërndahet në ditët në vijim.
Situatën në Venezuelë, Mjekët pa Kufij e krahasojnë me atë që ndodh në një vend ku ka konflikt të armatosur. Në kryeqytetin Karakas, si dhe në La Guaira, spitalet mbeten nën presion të fortë sipas raportimeve nga terreni.
Në vendin e Amerikës së Jugut, familjet raportojnë për afro 69 mijë të zhdukur e me kohën që kalon, rritet frustrimi. Në popullatë ka pakënaqësi për reagimin e qeverisë që vlerësohet si “i papërshtatshëm”.
Agjencitë e ndihmës i konsiderojnë 48 deri 72 orët e para, si vendimtare për nxjerrjen e njerëzve të gjallë, megjithëse kjo periudhë mund të zgjatet nëse ata kanë qasje në ushqim dhe ujë. Zyrtarët venezuelianë thanë se 17 fluturime me më shumë se 1,600 anëtarë të ekipeve të shpëtimit kishin zbarkuar deri dje.