Bota

Thellohet bilanci i tërmetit në Venezuelë, të paktën 164 të vdekur dhe 971 të plagosur!

Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Venezuelën është rënduar. Të paktën 164 persona kanë humbur jetën dhe 971 të tjerë janë konfirmuar të plagosur, njoftoi presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez.

Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet më tej, pasi ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën në zonat ku ndërtesa të shumta janë shembur ose dëmtuar rëndë.

Sipas Rodríguez, pas dy lëkundjeve kryesore janë regjistruar të paktën 30 pasgoditje, duke vështirësuar operacionet e shpëtimit dhe duke mbajtur në alarm banorët.

Presidentja në detyrë tha se Venezuela po bashkëpunon me Kombet e Bashkuara për dërgimin e ekipeve të shpëtimit, ndërsa po punohet edhe për krijimin e një fondi fillestar prej 200 milionë dollarësh për rindërtimin.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të bashkuar, duke u kërkuar të qëndrojnë në banesat e tyre vetëm nëse strukturat janë të sigurta.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë kontrollet në ndërtesat e dëmtuara, ndërsa frika është se bilanci tragjik mund të rritet në orët në vijim.

Dy tërmete jashtëzakonisht të fuqishëm, pak pas njëri-tjetrit, kanë gjunjëzuar Venezuelën, duke shkaktuar viktima e të lënduar, si edhe shembjen e qindra ndërtesave. Më i forti prej tyre ishte i magnitudës 7.5 Rihter.

LEXO EDHE: 212 viktima nga i nxehti në Spanjë, alarmi për temperaturat e larta!

Paniku dhe dëshpërimi janë përhapur midis njerëzve të cilët, brenda pak minutash, kanë humbur gjithçka, si në kryeqytet, Karakas, ashtu edhe në një zonë të gjerë në perëndim të vendit.

Një kryetar bashkie i qytetit Chacao, një nga më të goditurit, pranoi se kishte viktima, pa dhënë detaje. Aeroporti ndërkombëtar i kryeqytetit u dëmtua rëndë, duke pezulluar fluturimet: çatia u shemb në shumë zona, duke shkaktuar panik midis pasagjerëve.

LEXO EDHE: Tronditet Botërori/Humb jetën 22-vjeçari që punonte për sigurinë e stadiumit pas përplasjes nga një automjet!