Bota

Terror në SHBA, sulm me armë zjarri në një universitet në Pensilvani!

Një person mbeti i vrarë dhe disa të tjerë u plagosën pasi një i armatosur hapi zjarr në Universitetin Lincoln në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një konferencë për shtyp, shefi i policisë së universitetit, Marc Partee, konfirmoi se një person u vra në të shtënat e gjashtë të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spital.

Referuar mediave amerikane që citojnë burime policore zyrtare, një i dyshuar u arrestua.

“Zbatuesit e ligjit i janë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe po hetojnë në mënyrë aktive”, theksoi në një deklaratë Zyra e Prokurorit të Qarkut Chester, bashkë me apelin:

Ju lutemi shmangni zonën në këtë kohë!

Universiteti Lincoln ndodhet rreth 45 milje në jugperëndim të Filadelfias e afro 25 milje në perëndim të Wilmingtonit, në Delaware.

Kjo fundjavë shënoi festimet e kthimit në shtëpi të studentëve, me ndeshjen kryesore të futbollit që u zhvillua në orën 13:00 të një dite më parë.

Jam informuar për të shtënat në Universitetin Lincoln dhe administrata ime ka ofruar mbështetje të plotë, shkroi Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, në rrjetet sociale.