Bota Tech

Tharje e lëkurës, ushqime të ngrohta/Jeta brenda avionëve që bombarduan Iranin!

Me aftësinë që të mbushet me karburant gjatë fluturimit, koha e fluturimit e avionit bombardues B-2 Spirit kufizohet vetëm nga qëndrueshmëria fizike e pilotëve të tij. Gjatë misionit 37-orësh për të goditur ndërtesat bërthamore të Iranit më 22 qershor, ky limit njerëzor u çua në ekstrem.

Pilotët e bombarduesit B-2 mund të shtrihen dhe të bëjnë një sy gjumë. Megjithatë, ata mund të pushojnë në një hapësirë të vogël që gjendet prapa karrigeve të pilotëve, mbi një sipërfaqe metalike, që nuk është komode, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i bazës ajrore Whiteman, në Misuri, ku këta bombardues janë të stacionuar.

Aeroplani prodhon oksigjen, që do të thotë se e nxjerrë atë nga atmosfera duke rezultuar me pothuajse fare lagështi brenda avionit. Por, nga ana tjetër, duhet që pilotët të hidratohen vazhdimisht, megjithëse ende përballen me probleme si tharja e çarja e lëkurës.

B-2 u krijua nga SHBA-të gjatë Luftës së Ftohtë si bombardues i aftë që të mbante armë bërthamore e të ishte i padukshëm për mijëra stacione radarësh të Bashkimit Sovjetik. Po ashtu, të shmangte flotën e fuqishme të avionëve e të raketave tokë-ajër të këtij shteti.

Modeli i bombarduesit B-2, që duket si “krah fluturues”, por edhe materiali me të cilin është ndërtuar që është top-sekret, i cili përthith valët e radarit e teknologjitë e tjera të avancuara, bëjnë që ky bombardues me gjerësi prej 52 metrash, të duket në radar si një insekt i madh. Fluturimi i parë i këtij bombarduesi u realizua në korrik të vitit 1989.

Gjeneral-lejtnanti Mark E. Weatherington është zv.komandant i Komandës Globale të Sulmeve të Forcave Ajrore të SHBA-ve. Për Radion Evropa e Lirë, tha se një nga aspektet më stresuese të një misioni në distancë të gjatë, si operacioni “Çekani i Mesnatës”, përkatësisht sulmet ndaj Iranit, është furnizimi me karburant gjatë fluturimit përmes një avioni tjetër cisternë.

Një B-2 duhet të furnizohet me karburant çdo gjashtë orë. Furnizimi me karburant në ajër është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe nëse është errësirë, ka re apo turbulenca, ky operacion kërkon shumë përqendrim.

Pilotët kanë thënë se kur përfundojnë operacionin delikat të furnizimit me karburant, që kërkon rreth 30 minuta të përqendrimit të madh, mbushen me djersë. Në këtë bombardues nuk ka dushe e as vende ku pilotët do të mund të ndërronin rrobat. Ekipet e bombarduesve B-2 mbajnë rripa sigurie, jelekë shpëtimi mbi kostumet e fluturimit, gjë që do ta bënte ndryshimin e rrobave një proces shumë të ndërlikuar gjatë një misioni luftarak.

Numër minimal i ekuipazhit

Ushqimi për njerëzit brenda bombarduesit B-2 është proces më pak intensiv. B-2 është i pajisur me mikrovalë dhe pilotët marrin me vete ushqimet që pëlqejnë.

Ne punojmë me pilotët për t’iu ofruar sugjerime se çfarë dhe kur të hanë, por secili sjell atë që dëshiron, tha Weatherington, duke shtuar se hidratimi është kyç për një mision kaq të gjatë.

B-2 është projektuar që të ketë ulëse për një ekuipazh deri në tre persona, por zakonisht fluturohet vetëm nga dy pilotë, njëri nga të cilët shërben edhe si komandant i misionit.

Ky ekuipazh në numër kaq të vogël është pjesërisht për të ulur kostot. Njerëzit e trajnuar në mënyrë të specializuar janë një nga komponentët më të kushtueshëm të sistemeve të avancuara të armëve dhe B-2 është kritikuar për çmimin e lartë që nga fillimi. Çdo B-2 kushton rreth 2 miliardë dollarë dhe 21 bombardues të tillë janë ndërtuar deri tani.

Trajnim për gjumë

Një nga të metat e fluturimit me një ekuipazh kaq të vogël është se pilotët kanë shumë pak kohë për të pushuar. Gjenerali Weatherington tha se pilotët e B-2/shit, të përzgjedhur për një mision luftarak, kalojnë disa ditë duke punuar me një “fiziolog aeronautik” për të përshtatur orarin e gjumit me atë të misionit që i pret.

Sa shumë dhe sa mirë flenë pilotët, varet nga individi.

Nuk dihet saktësisht kur ka nisur të aplikohet trajnimi për gjumë për pilotët e bombarduesit B-2, por mund të ketë ndodhur pas luftës në Kosovë, kur aviatorët amerikanë raportuan se ndiheshin aq të mbushur me adrenalinë për shkak të tensionit të luftimeve, saqë rraskapiteshin, por nuk arrinin të flinin edhe gjatë misioneve të gjata.

Pilotët e B-2/shit që kanë marrë pjesë në misione luftarake të mëparshme kanë përdorur edhe pilula amfetamine për të qëndruar zgjuar. Pas disa furnizimeve me karburant dhe pushimeve të herëpashershme gjatë fluturimit sekret drejt Teheranit, momenti më i tensionuar për pilotët ishin goditjet, sipas gjeneralit Weatherington.

Zbatimi i misionit në zonën e shënjestruar është, me shumë gjasa, pjesa më stresuese në këtë rast. Me shtatë bombarduesit B-2 që hodhën 14 bomba të fuqishme për shkatërrimin e bunkerëve mbi një shtet që më parë ka rrëzuar aeroplanë amerikanë pa pilot, operimi pothuajse në mënyrë të pavarur në zonën që ishte në shënjestër, por i sinkronizuar për të arritur rezultatet, e bën këtë një mision jashtëzakonisht kërkues.