Aktualitet

Tiranë, kapet “skifteri” i syzeve!

Finalizohet operacioni policor i koduar “Logo”, ku është kapur një 40-vjeçar, i cili dyshohet se ka vjedhur sende me vlerë mbi 11 mijë euro gjatë 4 muajve të fundit. Shtetasi E.(D.) D., banues në Tiranë, u arrestua pasi ka vjedhur 7 palë syze nga i njëjti dyqan, duke shkaktuar një dëm total prej mbi 11 mijë eurosh. Autorit, emër i njohur për autoritetet, rezulton i dënuar më parë për vjedhje të ngjashme. Hetimet për këtë çështje janë në vazhdim, ndërsa policia po punon për zbardhjen e mundshme të vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky person.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Logo”. Gjatë 4 muajve, vodhi në të njëjtin dyqan, aksesorë me vlerë rreth 11 200 euro, kapet 40-vjeçari, i dënuar më parë, për të njëjtin krim.

Në vijim të punës hetimore intensive që po kryhet nga strukturat e Policisë së Tiranës, për zbardhjen e vjedhjeve dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, Komisariati i Policisë Nr. 1 finalizoi operacionin “Logo”.

Gjatë operacionit, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi E.(D.) D., 40 vjeç, banues në Tiranë. Ai dyshohet se gjatë 4 muajve të fundit, ka vjedhur në të njëjtin dyqan, 7 palë syze me vlerë rreth 11 200 euro. Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 40-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.