Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar “Hidden Funds”, ndërsa ka sekuestruar 500 mijë euro të dyshuara se janë përfituar nga veprimtari kriminale.
Policia njoftoi se procedoi në gjendje të lirë pronaren e subjektit echange pasi nuk deklaronte shumat e parave, të cilat depozitoheshin nga persona të ndryshëm në subjektin e saj me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje.
Si rezultat i një hetimi, të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë dhe të ndjekur nga Prokuroria e Tiranës, u finalizua operacioni “Hidden Funds”, në kuadër të cilit u procedua penalisht shtetasja E.K., 72 vjeçe.
Në subjektin në pronësi të kësaj shtetaseje, sipas provave të mbledhura, rezulton se depozitoheshin para të padeklaruara nga persona të ndryshëm, me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, jashtë sistemit bankar.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.