Film & Tv Music

Tradita e këngës së fundvitit të Top Media-s risjell në muzikë Parashqevi Simakun/Pirro Çako dhe Alban Male rrëfejnë emocionet!

Tradita e Top Channel vazhdon dhe këtë vit me një surprizë të madhe për të gjithë shqiptarët. Këngëtarja e madhe shqiptare, Parashqevi Simaku i rikthehet muzikës disa dekada më pas pikërisht në ekranin më të madh shqiptar, Top Channel. “E duam lumturinë” kjo është kënga e përzgjedhur për 2024 nga Top Media.

Kënga nis me këngëtaren Parashqevi Simaku dhe më pas vijon me personazhet më të dashur të ekranit, që i shikojmë çdo ditë përmes projekteve.  Në studion e “Wake Up” kanë qenë të ftuar mëngjesin e sotëm, kompozitori i këngës, Pirro Çako dhe producenti Alban Male, për të zbuluar më shumë ndjesitë e tyre pas rikthimit të kësaj kënge.

Pirro Çako rrëfen:

Kisha kohë që e kërkoja Parashqevinë, e kontaktoja në email, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Që atëherë pas asaj nate magjike nuk u takuam më kurrë dhe doka ta rikujtonim. Kur mora vesh lajmet, nuk e besova. Mendova se vazhdonte jetën e saj. U ndjeva shumë keq. Për kengën që u risoll, është diçka e jashtëzakonshme, ndihem i nderuar që u realizua nga Top Media dhe Alban Male.

Lidhur me historinë e këngës, Alban Male tregon:

Historia ime me këngën nis që herët, kur kam qenë në klasë të pare tek “Kongresi i Përmetit” dhe kanë ardhur për të marrë disa fëmijë për korin e këngës atëherë dhe nuk u zgjodha. Ndoshta do ishte një mundësi e mirë për ta takuar Parashqevinë. Pirro ka shumë këngë por është një nga dashuritë e para të tij kjo, e di që Pirro ka qenë i lidhur me këtë këngë. Plus ka dhe vlerë dhe pas ngjarjeve të fundit.

Lidhur me traditën e fundvitit të këngës së Top Media-s, Albani u shpreh:

Kënga bëhet prej vitesh në Top Media. Është një ide interesante që ka pasur i ndjeri Dritan Hoxha. Në fillim ka qenë “We Are The Champions”. Pas kësaj erdhëm te këngët shqiptare. Flas për veten time këtu, kur them se botëkuptimi i njeriut ndryshon me vitet. Këto lloj krijimtarie nuk mendoja që ishin aq të rëndësishme. Me kalimin e kohës e kupton vlerën. Mundësitë për të bërë një këngë sot janë të pafundme, por dikur ka qenë shumë e vështirë. Sot e vlerësoj ndryshe. Kënga e fundvitit, ka qenë si një tribut i ngjarjeve të rëndësishme të vitit.

Cila ka qenë ajo këngë që të ka lënë më shumë impakt?

Një emocion të madh ka pasur me këngën që erdhi pas tërmetit. Menduam a është momenti për të kënduar apo jo. Ka qenë kënga “Ende ka shpresë” nga Alban Skënderaj dhe Miriam Cani. Donim të bënim diçka që ta kalonim atë që kishte ndodhur.