Pasi tre muaj më parë i shpëtoi aksionit për të goditur grupin e trafikut të armëve nga Kosova në Shqipëri, kapet në arrati 41-vjeçari i shpallur në kërkim. Policia e Lezhës konfirmon se ka finalizuar operacionin e koduar “Puzzle” dhe shërbimet e Seksionit të Mbështetjes Operacionale të Hetimit lokalizuan e prangosën shtetasin Ritvan Keqi, banues në Fushë-Kuqe të Kurbinit.
Njoftimi zyrtar:
Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Seksionit të Mbështetjes Operacionale të Hetimit, në DVP Lezhë, si rezultat i një pune të mirorganizuar, kapën dhe vunë në pranga shtetasin:
R.K., 41 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Puzzle”, i zhvilluar rreth 3 muaj më parë, për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri. Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 14 armë zjarri. Veprimet e tjera procedurale për shtetasin R.K. do të kryhen nga DVP Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.