Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës pranoi kërkesën e prokurorit të çështjes dhe sot vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Shkëlqim Qenajn e Avdulla Mallakin. Nga Policia e Kukësit u arrestuan të premten e kaluar, në zonën e njohur si “Ura e Hasit”, nën akuzën për trafik armësh nga Kosova në Shqipëri.
Nga hetimet paraprake rezultoi se Qenaj dhe Mallaki, të dy banues në Prizren, trafikonin armë përmes kufirit jeshil, me qëllim shitjen e tyre në territorin shqiptar. Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët e policisë zbuluan dhe sekuestruan 8 armë zjarri të fshehura në bagazhin e makinës, secila e vendosur në çanta të veçanta.
Dyshohet se armët ishin destinuar për dy persona të tjerë, të cilët arritën të largohen kur konstatuan shërbimet e policisë dhe ende janë në kërkim nga blutë e Kukësit.
Ky nuk është rasti i parë i goditjes së grupeve kriminale që merren me trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri. Më 30 maj, pas një hetimi që zgjati 5 muaj, ranë në pranga 10 persona të përfshirë në të njëjtin aktivitet kriminal.
Bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, e cilësoi “model suksesi në rajon”, veçanërisht në drejtim të goditjes së grupeve që trafikojnë armë zjarri. Në lidhje me rastin e fundit në Kukës, Proda shprehu mirënjohje për strukturat vendore të policisë, si dhe për qytetarët, që sipas tij, po tregojnë gjithnjë e më shumë besim te Policia e Shtetit.