Sport

Trajneri i Partizanit pas ndeshjes: Kishim në protokoll vetëm 15 lojtarë/ Gjoka: Kisha besim te skuadra, bravo grupit

Aleksandër Veselinoviç, tekniku i Partizanit dha opinionin e tij pas barazimit 1-1 me Skënderbeun.

“Mund t’i përgëzoj lojtarët për motivin dhe luftën në fushë, përgëzoj dhe tifozët. Kam 24 vite trajner, kudo që kam punuar kam marrë përgjegjësinë e plotë dhe kam punuar me raporte të shkruara. Në raport është shkruar, me 5 janar, kam dërguar te menaxhmenti i Partizanit. Jam munduar të shpjegoj ku kemi qenë, ku jemi dhe ku po shkojmë me ambiciet që ka klubi. Kam shpjeguar çdo gjë nëpërmjet argumenteve te ai raport i shkruar.

Kam shkruar te ai raport që momentalisht që nuk jemi konkurrent të denjë dhe nuk kemi cilësi të mjaftueshme për të konkurruar. Nëse analizohet situate para 3 javësh me Vllazninë, sot luajmë pa 5 lojtarë që nuk janë të thjesht, por liderë të ekipit. Të mërkurën para se të dal në stërvitje jam lajmëruar që nuk do kem dhe Mba. Në këtë moment nuk kemi cilësi të mjaftueshme për ambiciet e klubit, nuk kemi ekuilibër. Mbase kemi alternativa, por nuk kanë qenë lojtarë stabël. Kemi pasur në protokoll vetëm 15 lojtarë. Nuk kemi as 20 lojtarë të mjaftueshëm, kemi thirrur Jatën.

Mbase është shumë e rëndësishme të thuhen këto gjëra. Dua të them të vërtetën dhe të qëndroj. Nuk e di sa seriozisht e kanë marrë raportin njerëzit që ia u kam dërguar atë. Unë bashkë me stafin nuk kemi ardhur kot këtu, por për ambicie të caktuara. Kjo që po ndodh tani nuk plotëson as ambiciet e mia po as të klubit.

LEXO EDHE: Partizani barazon 1-1 kundër Skënderbeut, ‘Demat’ në krye të renditjes! AF Elbasani përmbys 3-1 Teutën

Fillimisht nuk mund të komentoj intervistën e Abilaliajt pasi nuk e kam parë. Mund të them se nuk kemi 3 përforcime, por vetëm 1, Padstrelau. Përsa i përket Sodiq nuk e di ku ndodhet, ku jeton, nuk e kam idenë. Guxhufi ka ardhur po nuk është se kam folur me dikë për të. Jam informuar vetëm për testet mjekësore.

Është e vërtetë ajo që thashë për ndeshjen, falenderoj çunat për angazhimin dhe tifozët për përkrahjen”, u shpreh Veselinoviç .

Trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka analizoi barazimin 1-1 ndaj Partizanit.

“Kisha besim shumë që skuadra do të reagonte ndryshe sot. Pjesa e dytë, sidomos me ndryshimet që bëra, me dy lojtarët e rinjt që kemi marrë, ndryshoi loja. Ajo që kërkoj, të mbajmë topin në kontroll. Kam besim që skuadra do rritet. Ndoshta ky vit ndryshon anën mentale të Skënderbeut.

Shaqe është lojtar klasik, mbrojtës i majtë me të dhëna të mira. Problemi ka qenë minutazhi. Kur kam ndërhyrë ndoshta nuk ka qenë gati. Kam besim, duhet ta suportojmë që të fitojmë në mbrojtës të majtë.

Dëshira e çdo trajneri është të ketë sa më shumë lojtarë të mirë dhe me cilësi. Por hap pas hapi dhe ta shohim çfarë do sjellë në klub presidenti”, u shpreh Gjoka.