Gossip Showbiz

Transfertë milionëshe para prangave? Lëvizja e fundit e Jeffrey Epstein që ngre pikëpyetje!

Dokumente të reja të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë hedhin dritë mbi një lëvizje të bujshme financiare të Jeffrey Epstein vetëm një ditë përpara arrestimit të tij në korrik 2019.

Sipas materialeve zyrtare, më 5 korrik 2019, Epstein autorizoi një transfertë bankare prej 14.95 milionë dollarësh për blerjen e një kompanie jashtë SHBA-së që zotëronte pronën luksoze “Bin Ennakhil”, e vendosur në zonën elitare Palmeraie të Marrakesh.

Vlera totale e marrëveshjes parashikohej të arrinte rreth 18 milionë euro, duke e bërë atë një nga investimet e tij më të mëdha pak para ndalimit.

Vetëm një ditë më vonë, Epstein u arrestua në New York City për akuza federale që lidhen me trafikim seksual. Tre ditë pas arrestimit, kontabilisti i tij personal, Richard Kahn, anuloi transfertën dhe transaksioni nuk u finalizua.

Rezidenca në fjalë përshkruhej si një pronë unike arkitekturore, e ndërtuar përgjatë tre viteve nga rreth 1,300 artizanë, me elemente tradicionale marokene, mozaikë të punuar me dorë dhe gdhendje të detajuara.

Dokumentet tregojnë se Epstein kishte shfaqur interes për këtë pronë që nga viti 2011, por negociatat kishin zgjatur për vite për shkak të çmimit dhe kushteve.

Media lokale në Marok ka spekuluar se blerja mund të kishte qenë pjesë e një plani për t’u vendosur atje, duke qenë se vendi nuk ka traktat ekstradimi me Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, një ish-bashkëpunëtor i Epsteinit ka deklaruar se ai nuk kishte dijeni për arrestimin e afërt dhe se dokumentet nuk provojnë se prona ishte menduar si strehë për t’iu shmangur drejtësisë.

Lidhjet e Epsteinit me Marokun datojnë që nga fillimi i viteve 2000. Virginia Giuffre ka deklaruar më herët se ishte dërguar në Tangier nga Epstein dhe Ghislaine Maxwell për të inspektuar prona luksoze.

Në vitin 2002, ai kishte marrë pjesë edhe në dasmën e Mohammed VI, ku sipas raportimeve ishte i ftuar nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton.

Zbulimet e fundit rihapin debatet mbi lëvizjet financiare të Epsteinit në ditët e fundit para arrestimit dhe mbi rrjetin e tij ndërkombëtar të kontakteve.