Mijëra shoferë të kamionëve në Bosnje kanë ndërprerë dërgesat në mbarë vendin të hënën, më 1 shtator, duke kërcënuar se do të bllokojnë mallrat derisa kërkesat e tyre, për kushte më fleksibile të udhëtimeve dhe mbështetje më të madhe brenda Bashkimit Evropian, të plotësohen.
Rreth 6.000 shoferë kamionësh ndalën pothuajse krejtësisht transportin e mallrave, duke shkaktuar kolona në trafik. Shoferët po kërkojnë kushte më të mira pune në tregun kryesor të eksportit të vendit, në BE.
Sipas shifrave zyrtare, vitin e kaluar BE-ja përbënte rreth 64 për qind të tregtisë së huaj të Bosnjes. Mbi 90 për qind të mallrave transportohen përmes transportit rrugor.
“Ne kemi ndaluar zinxhirët tanë të furnizimit përmes Bosnje e Hercegovinës”, tha Velibor Peuliq nga asociacioni kryesor i shoferëve të kamionit në Bosnje, Konzorcijum logistika BiH.
Ky asociacion ka penguar që rreth 4 mijë tonë mallra të shkonin në kryeqytet, Sarajevë, tha Peuliq.
Për muaj të tërë, përfaqësuesit i këtij sektori, i cili ka ndërmjet 15 mijë deri në 18 mijë shoferë, kanë kërkuar nga autoritetet të negociojnë me BE-në për ndryshimin e një rregulli që ata e quajnë “diskriminues” ndaj tyre. Qëndrimi i tyre në bllokun evropian, ku Bosnja synon të anëtarësohet, është i kufizuar në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore – afat që vlen edhe për turistët.
Ky rregull daton që nga viti 2008, kur Bosnja nënshkroi një marrëveshje tregtare me BE-në.