Rajoni

Transportuesit rajonalë bllokojnë kufijtë me BE-në, preket edhe Shqipëria!

Kompani transporti nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, nga mesdita kanë bllokuar pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Europian. Ky veprim është reagim ndaj sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, për të cilin thonë se po u shkakton “dëbime, vonesa dhe humbje ekonomike”, ndaj kërkojnë që kompanitë e transportit të përjashtohen nga zbatimi i tij.

Si importuese e shumë mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, protestat pritet të ndikojnë edhe në qarkullimin e mjeteve të transportit në Kosovë. Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit njoftoi se “do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë”, me gjasa deri në 7 ditë.

Këto protesta ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe mallrave, si dhe mbingarkojnë trafikun në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit, që janë të përfshira në protesta.

Bllokadë të ngjashme ka edhe nga Mali i Zi.

Transportuesit maqedonas po bllokojnë dhjetë pika kufitare, në kufi me Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën.

Bllokadat aplikohen vetëm për trafikun e mallrave, duke mbyllur korsitë dhe terminalet për kamionët, ndërsa makinat e zakonshme, autobusët dhe trafiku i pasagjerëve lëvizin pa pengesa.

Në Maqedoninë e Veriut, mobilizimi për bllokadat u organizua nga “Makam-Trans”, shoqata më e madhe e punëdhënësve të kompanive të transportit në këtë vend.

Më herët, Konsorciumi i Logjistikës i Bosnjë-Hercegovinës njoftoi se 100 shoferë profesionistë janë kthyer me forcë nga vendet e BE-së, ndërsa 47 kanë humbur punën për shkak të problemeve me qëndrimin në këto vende.

Sistemi EES nuk vendos asnjë kërkesë të re për qëndrimet e shkurtra në zonën Schengen, tha zëdhënësi për Çështjet e Brendshme të Komisionit Europian, Markus Lammert, në përgjigje të pretendimeve të shoqatave të transportit nga Ballkani Perëndimor se sistemi i ri po i lë punëtorët dhe shoferët pa punë.

EES siguron zbatim më të mirë të rregullave ekzistuese dhe zbulim sistematik të parregullsive, vuri në dukje Lammert, duke theksuar se Brukseli zyrtar po ndjek nga afër çështjen e njoftimeve për bllokada nga transportuesit.

Sipas tij, EES nuk sjell ndryshime në rregullat ekzistuese për qëndrimin në zonën Schengen.