Tech Top Tech - News

Tregti energjie nga kompanitë e teknologjisë! Meta po kërkon të ndërtojë termocentrale sepse…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Kur mendon që kompanitë e teknologjisë po merren vetëm me aplikacione dhe algoritme, papritur të thonë “po futemi në biznesin e energjisë”. Jo panele diellore në çati. Jo bateri për telefona. Po tregti energjie.

Situata është kjo: Meta ka aq shumë uri për energji, sa nuk po i mjafton tregu normal. Që të ndërtojnë data centers, u duhen termocentrale të reja. Jo një, jo dy, por disa—dhe jo thjesht për të blerë energjinë, por për t’u futur në lojën e tregtimit të saj. Po kërkojnë leje federale që të blejnë, shesin dhe angazhohen me kontrata afatgjata. Nëse nuk funksionon siç e kanë llogaritur, mund ta rishesin energjinë në treg të lirë dhe ta ulin riskun.

Siç e shpjegojnë ata vetë, zhvilluesit e centraleve nuk fillojnë punë pa garantuar se dikush do blejë energjinë për vite me radhë. Pra Meta po thotë: “po futemi ne në mes që kjo punë të ecë”. Dhe sinqerisht, është e frikshme dhe interesante njëkohësisht të mendosh që këto kompani tani janë të detyruara të ‘investojnë’ direkt tek rrjeti elektrik sepse planet e tyre të AI kërkojnë energji që thjesht nuk ekziston ende.

Dhe për ta bërë akoma më të qartë: vetëm kampusi i tyre i ri në Luiziana kërkon ndërtimin e tre centraleve të reja me gaz. Tre. Vetëm për një kampus. Kjo nuk është më histori teknologjie. Kjo është infrastruktura e një shteti të vogël.

Nëse kërkonim prova që AI po ndryshon gjithçka, ja ku i kemi. Këto s’janë më servera, janë “qytete” energjie me logon e një kompanie tech.