Këtë vit, pritja e Krishtlindjeve mund të marrë një formë krejt tjetër, më romantike, më e qetë dhe më autentike. “FS Treni Turistici Italiani” ofron një mënyrë të re për të përjetuar atmosferën festive të dhjetorit: një udhëtim me trenin e natës Espresso Monaco, që lidh Romën me tregjet më të bukura të Krishtlindjeve në Europë.
Ky itinerar i veçantë, pjesë e nismës “Edizione Mercatini di Natale”, është menduar për ata që duan të përjetojnë magjinë e dimrit pa stresin e udhëtimeve ajrore apo me makinë.
Treni kthehet në një “hotel në lëvizje”, me ambiente të rehatshme, shërbim restoranti dhe bar, si dhe dekorime festive që i paraprijnë udhëtimit në zemrën e atmosferës alpe dhe bavareze të Adventit. Pas nisjes nga Roma, pasagjerët mund të relaksohen ndërsa peizazhi ndryshon nën dritat e natës.
“Espresso Monaco” kombinon komoditetin e pushimit me emocionin e udhëtimit, duke u mundësuar pasagjerëve të zgjohen mes Alpeve, gati për të eksploruar që në orët e para të mëngjesit.
Turizëm i kujdesshëm dhe i qëndrueshëm
Sipas “FS Treni Turistici Italiani”, qëllimi i kësaj linje është të ofrojë një mënyrë më të ngadaltë, të relaksuar dhe të qëndrueshme për të udhëtuar. Udhëtimi bëhet pjesë e vetë pushimeve, jo thjesht një mjet për të arritur destinacionin.
Atmosferë festive dhe destinacione të mrekullueshme
Gjatë rrugës, treni do të jetë zbukuruar me elementë të Krishtlindjeve dhe muzikë festive, ndërsa çdo pasagjer do të marrë një dhuratë simbolike.
Itinerari përfshin ndalesa në qytete dhe fshatra të njohur për tregjet e tyre të Krishtlindjeve, ku udhëtarët mund të shëtisin mes stendave me produkte artizanale, dhurata tradicionale dhe specialitete gastronomike lokale.
Datat e udhëtimit:
Nisja: 5 dhe 12 dhjetor
Kthimi: 7 dhe 14 dhjetor/shqip.al