Bazel do të bëhet së shpejti mikpritës i spektaklit të njohur muzikor, Eurovision. Biletat u shitën për shtatë minuta. Nga ora 10 e mëngjesit me orën lokale mijëra fansa filluan të blejnë bileta dhe interesimi ishte jashtëzakonisht i madh. Ishte e mundur të bliheshin deri në katër bileta për çdo person, por vetëm ata që ishin regjistruar paraprakisht mund të hynin në këtë shitje. Biletat u shitën jo vetëm për shfaqjet kryesore, por edhe për provat, të cilat u shitën në më pak se 20 minuta. Janë shitur gjithsej 42 mijë bileta, ndërsa shitjet shtesë do të zhvillohen më vonë.
Ndërkaq, një nga momentet më të paharrueshme në ‘Eurovision 2014’ ishte kur Conchita Wurst tronditi Evropën dhe fitoi me këngën “Rise Like a Phoenix”. Pas pseudonimit Conchita Wurst qëndron 36-vjeçari austriak Thomas Neuwirth. Thomas përdor përemrat mashkullorë, por kur transformohet në Conchita për skenën, ai dëshiron të referohet me përemra femërorë. Në këto 11 vite, ai ka ndryshuar shpesh pamjen dhe imazhin e tij, por kohët e fundit është besnik ndaj një stili me flokë të shkurtër dhe mjekër të gjatë.
Pavarësisht ndryshimeve, Conchita Wurst mbetet një ikonë e Eurovisionit. Shtatë vite më parë, Thomas pranoi publikisht se ishte me HIV pozitiv. Ai vendosi ta ndajë këtë lajm me publikun pasi u shantazhua nga ish-partneri. “Shpresoj që kjo të inkurajojë edhe të tjerët dhe të jetë një hap më shumë në luftën kundër stigmatizimit të njerëzve që janë infektuar me HIV, qoftë nga sjellja e tyre apo e të tjerëve”-shkroi ai në një postim në Instagram në atë kohë.

Sjellim në vëmendje se prezantuesja Michelle Hunziker do të jetë në krye të edicionit të ri të Eurovisionit në Zvicër së bashku me koleget Sandra Studer dhe Hazel Brugger. Pas aludimeve të shumta javëve të fundit, është njoftuar se ajo do të jetë pritësja e Eurovision Song Contest 2025 që do të zhvillohet në St. Jakobshalle në Bazel nga 13 deri më 17 maj. Hunziker do të shoqërohet në skenë nga dy kolege, Sandra Studer dhe Hazel Brugger.
Rikujtojmë se transmetuesi shtetëror moldav TVM ka konfirmuar se po tërhiqet nga Eurovisioni i këtij viti, i cili do të mbahet në Bazel. Sipas mediave të huaja, lajmi vjen vetëm pak ditë pasi vendi zhvilloi audicionet për finalet kombëtare dhe duket se ato audicione luajtën një rol të madh në vendimin e tyre. Drejtori i rrjetit “Moldova 1”, Corneliu Durnescu, tha se mungesa e cilësisë krijoi një perceptim negativ për Eurovisionin.