Presidenti amerikan, Donald Trump, prezantoi marrëveshje tregtare, diplomatike dhe minerare, teksa mirëpriti udhëheqësit e Azisë Qendrore në një samit e një darkë që synoi forcimin e ndikimit të Uashingtonit në rajon.
I shoqëruar nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe nga zv.presidenti JD Vance, në një tryezë të gjatë në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha mbetet i përkushtuar që ta bëjë raportin e SHBA-ve me Azinë Qendrore “më të fortë se kurrë më parë”.
Presidentët e Kazakistanit, Kirgistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit e Uzbekistanit thanë se kjo është një epokë e re e bashkëpunimit. Para darkës së punës, Kazakistani njoftoi për një marrëveshje të madhe minerare përmes një partneriteti të ri të përbashkët me SHBA-të.
Sipas akordit, kompania amerikane Cove Kaz Capital Group do të ketë 70% të aksioneve në këtë projekt të përbashkët me kompaninë shtetërore minerare të Kazakistanit dhe kostoja totale e projektit vlerësohet të jetë 1.1 miliardë dollarë. Ndërkaq, Banka Amerikane Eksport-Import do të lëshojë një letër interesi për të financuar projektin me 900 milion dollarë.
Në mesin e marrëveshjeve të arritura gjatë samitit ishte edhe një, për të cilën ende nuk dihen detajet e hollësishme, për shitjen e 37 avionëve Boeing për linjat kombëtare të Kazakistanit, Taxhikistanit e Uzbekistanit. Në aspektin diplomatik, Kazakistani tha se pret t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit, kornizës që udhëhequr nga Amerika për bashkëpunim mes Izraelit dhe shteteve arabe e myslimane.
Zyrtarët amerikanë deklaruan se samiti kishte për qëllim sinjalizimin e një angazhimi të ri amerikan, për t’u përfshirë në mënyrë më të qëndrueshme me Azinë Qendrore.
Shpesh, shpenzojmë shumë kohë të përqendruar në kriza e probleme dhe ato meritojnë vëmendje, por ndonjëherë nuk i kushtojmë kohë të mjaftueshme mundësive të reja, tha Rubio gjatë një mëngjesi pune me pesë udhëheqësit e Azisë Qendrore. Pikërisht kjo ekziston tani: një mundësi e re në të cilën interesat kombëtare të shteteve tona përputhen.
Uashingtoni po kërkon mënyra të reja për të shmangur Pekinin në tregtinë e metaleve, pasi Kina nxjerr rreth 70% të mineraleve të rralla të tokës në botë dhe kontrollon afro 90% të përpunimit të tyre. Teksa Azia Qendrore mund të jetë një burim afatgjatë, ky rajon shpreson që investimet e reja do ta ndihmojnë të zhvillojë këto burime.