Bota

Trump-Xi me marrëveshje për mineralet e rralla/SHBA-të i ulin tarifat Kinës!

Zgjati më pak se dy orë takimi i shumëpritur mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe atij kinez, Xi Jinping që u mbajt në Korenë e Jugut. Më pas, të dy liderët e fuqishëm botërorë dolën para kamerave mes buzëqeshjeve e shtrëngimeve të duarve, në dukje pa ndonjë tension.

Ata nuk lëshuan një deklaratë të përbashkët, por për Trump-in, rezultati i samitit ishte një sukses i madh.

Me Xi arritëm një marrëveshje për mineralet e rralla, shtoi shefi i Shtëpisë së Bardhë duke specifikuar se akordi do të zgjasë për një vit e do të rinegociohet çdo 12 muaj. Kina do të vazhdojë të ruajë fluksin e eksporteve të mineraleve të rralla të tokës, siguroi manjati.

Trump njoftoi më tej se tarifat amerikane për produktet kineze do të ulen në 47%, nga 57% që janë aktualisht dhe se Uashingtoni e Pekini zyrtar do të punojnë së bashku për një zgjidhje të luftës në Ukrainë.

Ndër të tjera, presidenti amerikan vuri në dukje se në muajin prill, pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kinë.

Për Xi-në, Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të marrin së bashku përgjegjësitë e tyre si fuqi të mëdha e të punojnë po së bashku, siç theksoi “për të mirën e të gjithë botës”.