Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Turqi, Thomas Barrack, ka shprehur optimizëm se presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, do të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi sanksionet amerikane të vendosura ndaj Turqisë. Në një intervistë për agjencinë shtetërore turke Anadolu Agency, Barrack u shpreh se një zgjidhje është e mundur brenda këtij viti.
“Sipas mendimit tim, presidenti Trump dhe presidenti Erdogan do t’i thonë Sekretarit (Marco) Rubio dhe Ministrit të Jashtëm (Hakan) Fidan ta rregullojnë këtë çështje. Një zgjidhje është e mundur deri në fund të vitit,” deklaroi ambasadori.
Sanksionet u vendosën në vitin 2020 në kuadër të Aktit për Kundërshtimin e Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA), pasi Turqia bleu sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400. Si pasojë, Ankaraja u përjashtua nga programi i avancuar i avionëve luftarakë F-35, ku kishte rol si blerëse dhe bashkëprodhues.