Presidenti Donald Trump firmosi tarifat amerikane, duke njoftuar se “sot është dita e çlirimit, dita kur e bëjmë Amerikën të pasur sërish”.
Do të jetë dita që do të mbahet mend si ajo në të cilën e bëmë Amerikën të pasur përsëri.
Siç njoftoi zëdhënësja e qeverisë franceze, Sophie Primas, përgjigja e Bashkimit Europian do të vijë në dy faza, ku e para pritet në “fundin e prillit”.
Tarifat amerikane janë një “gabim i thellë” për të cilin palës europiane i duhet një përgjigje kompakte, e qetë dhe e vendosur, u shpreh presidenti i Republikës Sergio Mattarella.
Ndërkohë në frontin e brendshëm, sipas Politico-s, Donald Trump i ka thënë rrethit të tij të ngushtë, përfshirë anëtarëve të kabinetit që drejton, se Elon Musk do të tërhiqet në javët e ardhshme nga roli i tij aktual në qeveri. Por, sipërmarrësi miliarder përgjigjet:
Fake news.
Komenti i Musk-ut iu bashkangjit një postimi në X nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila e hodhi poshtë si “mbeturinë” lajmin e bujshëm.
Jo vetëm kaq. Tesla përparoi në Wall Street mes thashethemeve lidhur me një largim të mundshëm të Elon Musk-ut nga administrata Trump.
Aksionet e gjigantit të makinave elektrike u rritën me 4.50%, duke rikuperuar humbjet mbi 6% të regjistruara në fillim, me rënien e shitjeve në tremujorin e parë.
Në një tjetër zhvillim, në ditën e hyrjes në fuqi të tarifave amerikane, presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, njoftoi se nesër do të prezantojë një program për ekonominë e vendit.
Raportohet se ky program nuk do të kufizohet vetëm në përgjigjen ndaj tarifave shtesë të Uashingtonit zyrtar, por po ashtu do të kërkojë të forcojë planet për zhvillimin e ardhshëm të ekonomisë kombëtare.
Bisedimet me qeverinë amerikane do të vazhdojnë, ne kemi një komunikim të shkëlqyer, shtoi kryetarja e shtetit meksikan, duke nënvizuar se veprimet e qeverisë së saj do të përqendrohen në forcimin e ekonomisë dhe sektorëve të veçantë, përfshirë industrinë e makinave.
Për këto të fundit, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump ka njoftuar se më 3 prill hyn në fuqi tarifa 25% për importin. Eshtë fjala për automjetet e huaja, pra jo amerikane.