Pasi u paralajmërua, presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi taksa të reja të importit prej 25% për makinat dhe pjesët e automjeteve që hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një lëvizje e cila përbën kërcënim për zgjerimin e luftës tregtare globale. Tarifat e reja për bizneset që importojnë automjete, siç bëri të ditur Trump-i, hyjnë në fuqi më 2 prill ndërsa ato për pjesët, në muajin maj ose edhe më vonë.
Presidenti pretendoi se masa do të çonte në “rritje të jashtëzakonshme” për industrinë e makinave, duke premtuar se do të nxiste vende pune dhe investime në Shtetet e Bashkuara. Por, analistët vunë në dukje se ka të ngjarë që ky veprim të çojë në mbylljen e përkohshme të prodhimit të rëndësishëm të makinave në SHBA, rritjen e çmimeve dhe tendosjen e marrëdhënieve me aleatët.
Shtetet e Bashkuara importuan rreth 8 milion makina vitin e kaluar, duke llogaritur afro 240 miliardë dollarë në tregti dhe afërsisht gjysmën e shitjeve të përgjithshme. Meksika është furnizuesja kryesore e huaj e makinave në SHBA, e ndjekur nga Koreja e Jugut, Japonia, Kanadaja e Gjermania. Lëvizja e fundit e Trump-it kërcënon të përmbysë tregtinë globale të makinave dhe zinxhirët e furnizimit.
Shumë kompani amerikane të makinave kanë operacione edhe në Meksikë e Kanada, të krijuara sipas kushteve të marrëveshjes së gjatë të tregtisë së lirë mes tre vendeve. Shtëpia e Bardhë u shpreh se urdhri do të zbatohet jo vetëm për makinat e përfunduara, por edhe për pjesët e atyre, të cilat shpesh dërgohen nga vende të tjera përpara se të montohen në SHBA.
Megjithatë, tarifat e reja për pjesët nga Kanadaja dhe Meksika janë të përjashtuara ndërsa doganat dhe patrullat kufitare të SHBA-ve kanë krijuar një sistem për të vlerësuar detyrimet, siç edhe vuri në dukje Shtëpia e Bardhë.