Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ultimatumi i tij ndaj Rusisë për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë është “10 ditë nga sot”, u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One, duke u kthyer nga Skocia.
“Nuk kam marrë asnjë përgjigje nga Rusia”, tha Donald Trump në lidhje me ultimatumin e lëshuar Moskës. “Është një turp”, shtoi presidenti amerikan.
Në fakt, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha dje që Rusia kishte 10-12 ditë kohë, ndërsa sot e ka ulur në 10 ditë, kur në mesin e korrikut kishte thënë 50 ditë. Duhet të presim 8 gushtin për të parë se çfarë do të bëjë konkretisht Trump ndaj Rusisë.
Kremlini ka reaguar shkurtimisht pas deklaratës së fundit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se do të shkurtojë afatin e dhënë Moskës për të ndalur luftën në Ukrainë, përndryshe do të përballet me sanksione të reja.
Trump njoftoi dje nga Britania se do të ulë afatin e mëparshëm prej 50 ditësh që kishte vendosur më 14 korrik, duke i dhënë Rusisë vetëm 10 deri në 12 ditë kohë për të treguar përparim drejt një armëpushimi. Ai theksoi zhgënjimin e tij me presidentin rus Vladimir Putin, për shkak të vazhdimit të luftës që ka hyrë në vitin e katërt.
I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë deklaratë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, u përgjigj shkurt:
“E kemi marrë parasysh deklaratën e djeshme të presidentit Trump. Operacioni i posaçëm ushtarak vazhdon.”
Peskov shtoi gjithashtu se Rusia mbetet e angazhuar në procesin e paqes për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, duke mbrojtur interesat e saj kombëtare në këtë proces.
Trump ka zhvilluar gjashtë telefonata me Putin që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, por tani ka lënë të kuptohet se nuk është më i interesuar të vazhdojë dialogun.
“Nuk shohim asnjë përparim. Nuk ka arsye të presim më”, tha Trump dje, duke shtuar se “nuk ka më shumë interes për të folur” me presidentin rus.
Kremlini nuk ka komentuar mbi këtë pjesë të deklaratës së Trump.