Bota

“Trump na mashtroi dhe nuk e mbajti premtimin”, zyrtari i lartë iranian: Jemi përgatitur për një luftë të gjatë me SHBA!

Një zyrtar i lartë iranian ka deklaruar se Irani është i përgatitur për një konflikt të gjatë me Shtetet e Bashkuara, duke paralajmëruar gjithashtu për mundësinë e vazhdimit të sulmeve ndaj vendeve të Gjirit për të ushtruar presion politik.

Deklarata u bë në një intervistë ekskluzive për CNN nga Kamal Kharazi, këshilltar për politikën e jashtme në Zyrën e Liderit Suprem në Teheran. Ai theksoi se, për momentin, nuk sheh hapësirë për diplomaci dhe se përfundimi i luftës mund të vijë vetëm përmes rritjes së presionit ekonomik.

“Nuk shoh më hapësirë për diplomaci, sepse Donald Trump i mashtroi të tjerët dhe nuk i mbajti premtimet e tij. Ne e përjetuam këtë dy herë gjatë negociatave: ndërsa ishim të angazhuar në bisedime, ata na goditën”, deklaroi Kharazi për CNN.

Sipas tij, presioni ekonomik duhet të rritet deri në atë pikë sa vendet e tjera të ndërhyjnë për t’i dhënë fund asaj që ai e quajti agresion amerikan dhe izraelit kundër Iranit. Kharazi sugjeroi se vendet arabe të Gjirit duhet të ushtrojnë presion ndaj Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit.

LEXO EDHE: Mojtaba Khamenei në krye të Iranit pas vdekjes së Ali Khamenei-t, analistët flasin për forcim të linjës së ashpër

Ai shtoi se lufta po krijon pasoja të rënda ekonomike në rajon, përfshirë rritjen e inflacionit dhe mungesën e energjisë.

“Nëse konflikti vazhdon, ky presion do të rritet edhe më shumë dhe vendet e tjera mund të mos kenë zgjidhje tjetër veçse të ndërhyjnë”, përfundoi ai.

LEXO EDHE: Trump thirrje Australisë: Kthimi i ekipit kombëtar iranian të futbollit në Iran, një gabim! Jepuni azil