Presidenti amerikan, Donald Trump, firmosi një urdhër ekzekutiv që udhëzon sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, që të rishikojë politikën e Pentagonit për trupat transgjinorë, vendim që me gjasë mund të çojë drejt një ndalimi të shërbimit të tyre ushtarak në të ardhmen. Po ashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë urdhëroi që të larguarit vullnetarisht apo të hequr nga puna për shkak se kishin refuzuar të merrnin vaksinën për COVID-19, të kthehen në ushtri.
Në urdhrin për transgjinorët, Trump tha se shërbimi nga trupat që identifikohen me një gjini të ndryshme nga gjinia e tyre biologjike, “bie ndesh me angazhimin e një ushtari për një mënyrë jetese të ndershme, të vërtetë, të disiplinuar, madje edhe në jetën personale” dhe e dëmton për gatishmërinë ushtarake, duke kërkuar një politikë të rishikuar për të adresuar këtë çështje.
Edhe gjatë mandatit të parë si president, Trump kishte tentuar që të ndalonte transgjinorët që të shërbenin në ushtri, por çështja u zvarrit në gjykata të tëra dhe më pas u hodh poshtë nga pasardhësi i tij, Joe Biden, pak kohë pasi mori detyrën.
Dy grupet, Lambda Legal dhe Human Rights Campaign, që përfaqësonin ushtarët transgjinorë kur Trump shërbeu për herë të parë si president, janë zotuar se do të luftojnë sërish kundër urdhrit të ri të presidentit.
Kemi qenë në këtë situatë edhe shtatë vjet më parë dhe kemi arritur në mënyrë të suksesshme të bllokonim përpjekjet e administratës, tha avokati i Lambda Legal-it, Sasha Burchet, duke argumentuar se një vendim i tillë cënon sigurinë e trupave dhe shtetit, duke u zotuar se grupet për të drejtat e transgjinorëve sërish do ta dërgojnë çështjen në gjykata.
Rreth 1.3 milion personel aktiv shërbejnë në ushtrinë amerikane, sipas të dhënave të Departamentit të Mbrojtjes. Ndërkaq, grupet për të drejtat e transgjinorëve thonë se deri në 15 mijë ushtarë transgjinorë janë në ushtri. Por, zyrtarët shprehen se numri është më i vogël.