Bota

Trump: Një marrëveshje për Ukrainën është më afër se kurrë!

Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas thanë se kanë arritur përparim të konsiderueshëm në ditën e dytë të bisedimeve të zhvilluara dje, me qëllim përfundimin e luftës së nisur nga Rusia në tokën ukrainase. Raportohet se Uashingtoni i ka ofruar Kievit garanci të sigurisë mbi modelin e Artikullit 5 të NATO-s.

Ndonëse ende ka pikëpyetje për çështje me rëndësi, përfshirë fatin e territorit që Kievi vazhdon ta kontrollojë në rajonin lindor Donjeck, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se duket që një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit më të madh e më vdekjeprurës në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore “është më afër se kurrë”.

Po përpiqemi ta finalizojmë, besoj se jemi më afër tani, iu tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, pasi delegacionet amerikane, evropiane dhe ukrainase zhvilluan disa ditë negociata në Berlin. Patëm disa biseda me presidentin Putin dhe besoj se jemi më afër se kurrë e të shohim se çfarë mund të bëjmë.

Trump e përmendi se ka biseduar së fundi me presidentin rus, por nuk dha më shumë hollësi. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tregoi se bisedimet ishin të vështira, por të dobishme dhe se shefi i tij negociator, Rustem Umerov njoftoi se ka pasur “përparim real” në Berlin me të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner-in, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, të cilët ishin pjesë e delegacionit amerikan.

Këto biseda nuk janë gjithmonë të lehta, unë do të jem i sinqertë me ju. Por, ka qenë bisedë produktive, me shumë hollësi, me të vërtetë shumë, deklaroi Zelensky në një forum biznesi gjermano-ukrainas të mbajtur pas takimit SHBA-Ukrainë.

Në një konferencë për media të zhvilluar më vonë nga kancelari gjerman, Friedrich Merz, Zelensky u shpreh se palët “kanë dallime” sa iu përket territoreve dhe se çështja “nuk është mbyllur”.

Çështja territoriale është e dhimbshme. Ne e dimë 100% çfarë dëshiron Rusia dhe është shumë me rëndësi që amerikanët më kanë dëgjuar në këtë drejtim, vuri në dukje Zelensky. Unë besoj që amerikanët, si ndërmjetësues do të analizojnë mënyra të ndryshme si t’i zgjidhin këto çështje, përfshirë territorin dhe ndarjen e fondeve për rindërtim të Ukrainës.