Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi tarifa prej 35% për importet nga Serbia dhe 30% për ato nga Bosnjë-Hercegovina. Tarifat e reja për dy vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe ato për një sërë shtetesh të tjera pritet që të hyjnë në fuqi më 1 gusht. Por, janë më të ulëta nga çfarë pati paralajmëruar Trump në muajin prill me 37% mallrat nga Serbia dhe 35% nga Bosnjë-Hercegovina. Megjithatë, zbatimi i këtyre të fundit u shty për 90 ditë.
Tarifat e reja, shefi i Shtëpisë së Bardhë i paralajmëroi në letrat drejtuar udhëheqësve të dy vendeve, në rastin e Serbisë, presidentit Aleksander Vuçiç e në të Bosnjë-Hercegovinës, kryetares aktuale të Presidencës, Zhelka Cvijanoviç. Këto letra janë të njëjta, përveç ndryshimeve në normat doganore që i vendosen secilit prej shteteve.
Letra e Trump-it fillon duke theksuar se është “nder i madh” për të që dërgon një letër, e cila tregon rëndësinë dhe përkushtimin e SHBA-ve për marrëdhëniet tregtare me atë shtet. Më tej vihet në dukje se Amerika ka pranuar ta vazhdojë bashkëpunimin tregtar me vendin në fjalë, pavarësisht “deficitit të konsiderueshëm tregtar” që Shtetet e Bashkuara kanë me të.
Sipas presidentit, norma e deklaruar e tarifës, 30% për Bosnjë-Hercegovinën dhe 35% për Serbinë është shumë më e ulët se ajo që nevojitet për të eliminuar pabarazitë e deficitin tregtar. Po ashtu, Trump kërcënon se do t’i rrisë tarifat nëse vendet hakmerren, duke vendosur tarifa shtesë për importet nga SHBA-të.
Në rrjetin e tij Truth Social, dje Trump njoftoi vendosjen e tarifave të reja doganore për një sërë shtetesh. Për Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë dhe Kazakistanin parashikohen tarifa prej 25%; për Afrikën e Jugut 30%; për Indonezinë 32%; për Bangladeshin 35%; për Kamboxhan e Tajlandën 36% dhe për Laosin e Mianmarin nga 40%.
Në fillim të prillit, Trump vendosi tarifë 10% për importet nga Kosova. Masë të ngjashme, vendosi edhe për importet nga Shqipëria, kurse për ato nga Serbia ishte 37%, nga Bosnja, 35% e nga Maqedonia e Veriut 33%. Ekspertët vlerësuan se tarifat amerikane do të kenë shumë ndikim në Kosovë, për shkak të varësisë së madhe nga importet.
Presidentja Vjosa Osmani, pati deklaruar se zyra e saj ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10% ndaj mallrave të importuara nga SHBA-të, por se për miratimin e kësaj mase duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri.
Kosova nuk e ka konstituuar ende institucionin ligjvënës, edhe pse zgjedhjet parlamentare janë mbajtur pesë muaj më parë.