Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se çdo vend që bën biznes me Iranin do të përballet me një normë tarife prej 25% për çdo marrëdhënie tregtare me SHBA-të, ndërsa Uashingtoni po shqyrton një përgjigje ndaj situatës në vendin, ku po zhvillohen protestat më të mëdha antiqeveritare të viteve të fundit.
Me efekt të menjëhershëm, çdo vend që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë një tarifë prej 25% në raport me tregtinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Tarifat paguhen nga importuesit amerikanë të mallrave nga ato vende. Prej vitesh, Irani, anëtar i grupit të vendeve prodhuese të naftës OPEC, sanksionohet rëndë nga Uashingtoni. Pjesën më të madhe të naftës e eksporton në Kinë, ndërsa Turqia, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe India janë ndër të tjerë partnerë kryesorë tregtarë.
Ky urdhër është përfundimtar, vuri në dukje Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga agjencia Reuters.
Ambasada kineze në Uashington kritikoi qëndrimin e Trump-it, duke thënë se Kina do të marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur interesat e saj dhe kundërshtoi “çdo sanksion të paligjshëm”.
Qëndrimi i Kinës kundër vendosjes pa dallim të tarifave është i qëndrueshëm, i qartë: luftërat tarifore e tregtare, nuk kanë fitues. Detyrimi dhe presioni nuk mund të zgjidhin problemet, theksoi një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington, në X.
Japonia dhe Koreja e Jugut, që vitin e kaluar ranë dakord për marrëveshje tregtare me SHBA-të, po monitorojnë nga afër zhvillimet.
Ne planifikojmë të marrim çdo masë të nevojshme, sapo veprimet konkrete të qeverisë amerikane të bëhen të qarta, deklaroi Ministria e Tregtisë e Koresë së Jugut.
Zv.shefi i Sekretariatit të Kabinetit të Japonisë, Masanao Ozaki, u tha gazetarëve se “Tokio do të shqyrtojë me kujdes përmbajtjen konkrete të çdo mase sapo ato të bëhen të qarta, si edhe ndikimin e tyre të mundshëm ndaj Japonisë, para se të reagojë në mënyrë të përshtatshme”.