Bota

Trump: Shtyva sulmin ndaj Iranit pas kërkesës së vendeve të Gjirit!

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump deklaroi se ka vendosur të shtyjë një sulm ushtarak ndaj Iran, i cili sipas tij ishte planifikuar për sot. Kjo pas kërkesës së udhëheqësve të Katar, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në një postim në Truth Social, Trump tha se vendimi erdhi pasi po zhvillohen “negociata serioze” dhe se ishte informuar për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje “shumë të pranueshme” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se kushti kryesor mbetet që “Irani të mos ketë armë bërthamore”.

Megjithatë, Trump paralajmëroi se Amerika është e gatshme të ndërmarrë “një sulm të plotë dhe në shkallë të gjerë” ndaj Iranit nëse nuk arrihet marrëveshje e pranueshme.

Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që prej 28 shkurtit, kur forcat amerikane dhe izraelite nisën sulme masive ajrore ndaj Iranit. Në përgjigje, Teherani ndërmori sulme me dronë dhe raketa kundrejt objektivave izraelite e amerikane në rajonin e Gjirit.

Shtetet arabe të Gjirit druhen se një përshkallëzim i mëtejshëm mund të sjellë hakmarrje të ashpër nga Irani, i cili zotëron arsenal të madh dronësh e raketash. Objektiva potencialë konsiderohen aeroportet, impiantet petrokimike dhe impiantet e desalinizimit që furnizojnë me ujë të pijshëm vendet e Gjirit, veçanërisht në kulmin e temperaturave të larta të verës në rajon.