Bota

Trump vendos ndalesë udhëtimi për qytetarët nga 12 shtete!

Presidenti amerikan, Donald Trump, firmosi një vendim që ua ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara qytetarëve nga 12 shtete, përfshirë Afganistanin e Iranin. Një ndalesë të tillë, Trump e kishte ndërmarrë edhe gjatë mandatit të parë presidencial. Ai tha se kjo është e nevojshme për të mbrojtur amerikanët nga sulmet terroriste, si i 1 qershorit në Kolorado kur  persona që protestonin në mbështetje të pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi, u sulmuan nga një shtetas egjiptian.

Sulmi i fundit terrorist në Kolorado vuri në pah rreziqet ekstreme që i kanosen vendit tonë nga hyrja e shtetasve të huaj që nuk kanë kaluar nëpër kontrollet e duhura, si dhe nga ata që vijnë këtu si vizitorë të përkohshëm e qëndrojnë më gjatë nga sa iu lejohet me viza. Ne nuk i duam ata, deklaroi Trump përmes një video-mesazhi.

Sipas policisë, i dyshuari për sulmin në Kolorado, Mohammed Sabry Soliman, hodhi mjete plasëse dhe spërkati grupin me benzinë. Pesëmbëdhjetë persona u plagosën. Zyrtarët e sigurisë kombëtare deklaruan se Soliman gjendej në SHBA në mënyrë të paligjshme, pasi kishte tejkaluar afatin e qëndrimit të vizës turistike.

Trump e krahasoi ndalesën me “kufizimet e ashpra të udhëtimit” që ai vendosi ndaj një numri shtetesh, kryesisht myslimane më 2017-ën, pak pasi nisi mandatin presidencial. Ndërkaq, u shpreh se ai vendim ishte një nga politikat më të suksesshme të mandatit të tij të parë dhe pjesë e rëndësishme e parandalimit të sulmeve të mëdha terroriste nga jashtë në SHBA, duke përmendur sulmet terroriste që kanë ndodhur në Europë vitet e fundit.

Nuk do të lejojmë që ajo që ndodhi në Europë të ndodhë në Amerikë. Ne nuk mund të kemi një emigrim të hapur nga asnjë vend nga i cili nuk mund të bëjmë verifikim të sigurt e të besueshëm.

Përveç Afganistanit dhe Iranit, shtetet që përfshihen në ndalesën e re janë: Mianmari, Çadi, Republika e Kongos, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Haiti, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni. Ndalesa e udhëtimit hyn në fuqi më 9 qershor.

Edhe pse kufizimi nuk prek udhëtarët nga Egjipti, Trump njoftoi se “në dritën e ngjarjeve të fundit” ka urdhëruar sekretarin e Shtetit që ta informojë lidhur me rishikimin e praktikave dhe procedurave të Egjiptit “për të konfirmuar nëse kapacitetet e tyre aktuale të kontrollit e verifikimit janë të mjaftueshme”.

Përveç ndalimit të udhëtimit do të ketë edhe kufizime shtesë për vizitorët nga Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani e Venezuela.

Ndalesa e udhëtimit, e vendosur gjatë mandatit të parë të Trump-it, ua ndalonte shtetasve nga shtatë shtete, kryesisht myslimane Irak, Siri, Iran, Sudan, Libi, Somali dhe Jemen që të udhëtonin në SHBA. Ai vendim kishte shkaktuar kaos dhe paqartësi në aeroportet e këtyre shteteve e në aeroportet amerikane, pasi udhëtarëve ose iu ndalua hipja në avion për në SHBA ose ata nuk u lejuan sapo shkuan në tokën amerikane.

Udhëtarët e prekur nga vendimi përfshinin studentë e staf akademik, si dhe biznesmenë, turistë dhe persona që vizitonin miqtë e të afërmit.