Tetë të plagosur është bilanci i një sulmi me molotov në Boulder të Kolorados në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa akti po hetohet si terrorizëm, autoritetet raportuan se një person sulmoi me flakëhedhës dhe kokteje molotovi qytetarët gjatë një tubimi në mbështetje të pengjeve izraelite në Gaza e që zhvillohet çdo javë.
Gjatë një marshimi, 45-vjeçari Mohamed Sabry Soliman sulmoi duke thirrur: “Palestina e lirë”. Autori u arrestua dhe policia shprehet “mjaft e bindur” se veproi i vetëm.
Incidenti është i fundit në një seri sulmesh ndaj komunitetit hebraik në SHBA, pas luftës së Izraelit në Gaza. Rreth dy javë më parë, dy anëtarë të stafit të Ambasadës Izraelite u qëlluan për vdekje në Uashington DC , nga një person, i cili bërtiste “Liri për Palestinën!” teksa arrestohej.
Kush janë viktimat?
Katër gra dhe katër burra, të moshave 52 deri në 88 vjeç, mbetën të plagosur si pasojë e sulmit e janë dërguar në spitalet metropolitane të Denverit. Të paktën një prej tyre është në gjendje kritike për jetën.
Reagimi i udhëheqësve hebrenj
Udhëheqësit hebrenj kërkuan veprime konkrete pas sulmit antisemit në Boulder.
Disa persona u dogjën nga një terrorist në Boulder të Kolorados. Pse? Sepse ata po bënin thirrje që 58 pengje që mbahen ende nga terroristët e Hamasit të ktheheshin më në fund në shtëpi, tha në mediat sociale Ted Deutch, Drejtor Ekzekutiv i Komitetit Amerikan Hebraik.
Ndërsa u bëri thirrje udhëheqësve të shkojnë përtej simpatisë dhe të ndërmarrin veprime, duke kërkuar që t’i jepet fund nxitjes, Deutch e lidhi dhunën me përhapjen e retorikës ekstremiste, duke paralajmëruar:
Komuniteti hebraik e ka paralajmëruar botën se thirrjet “globalizoni Intifadën” dhe “rezistencë me çdo mjet të nevojshëm” janë thirrje për dhunë, referuar një kryengritjeje palestineze kundër sundimit izraelit.