Bota

Trupat e Koresë së Veriut goditen rëndë në Ukrainë!

Nëse trupat elitë të Koresë së Veriut prisnin fushatë të lehtë kundër forcave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë, në praktikë janë përballur me një realitet të ashpër në terren. Rreth 1.100 forca speciale të Koresë së Veriut u vranë apo u plagosën në Rusi që kur kanë nisur përplasjen me Ukrainën disa javë më parë, siç njoftoi Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i Koresë së Jugut më 19 dhjetor. Një gjeneral raportohet se është në mesin e viktimave.

Më 23 dhjetor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se kjo shifër është më e lartë, mbi 3.000 apo çereku i forcave speciale të Koresë së Veriut që u dërguan në Rusi, edhe pse të dhënave iu referua si paraprake. Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të konfirmojë asnjë nga shifrat e raportuara.

Numri një i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, nuk duket se është i shqetësuar nga humbjet. Raportohet se udhëheqësi autoritar po dyfishon mbështetjen e tij për presidentin rus, Vladimir Putin, në këmbim të furnizimeve kritike të naftës, parave e teknologjisë ushtarake.

Zelensky u shpreh se Koreja e Veriut mund të dërgojë më shumë trupa dhe armë në front. Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut e mbështeti këtë parashikim, duke thënë se Pheniani po përgatitet për rotacion të ushtarëve apo që ta furnizojë Rusinë me trupa shtesë.

Mbështetja ushtarake e vendit komunist po vjen në një kohë kritike të luftës. Rusia po synon që të mposhtë këmbësorinë ukrainase, që ka më pak ushtarë e burime, si dhe të fitojë territor para se fuqia njerëzore e burimet e saj të kufizohen.

Rusia ka humbur më shumë se 600 mijë ushtarë në pothuajse 3 vjet luftë. Kjo u bë e ditur nga Pentagoni gjatë muajit tetor. Moska ka shpenzuar shumicën e materialit të luftës dhe po përballet me vështirësi që të zëvendësojë artilerinë e raketat që i duhen për shkak të sanksioneve perëndimore.

Pothuajse dy të tretat e mortajave dhe granatave që Rusia lëshon në Ukrainë vijnë nga Koreja e Veriut, ka raportuar Wall Street Journal, duke cituar Andriy Kovalenko-n, oficer i ushtrisë ukrainase. Ndërkaq, çdo e treta raketë balistike që hidhet drejt Ukrainës është prodhuar në Korenë e Veriut, referuar zyrtarëve ukrainas. Pheniani po rrit prodhimin e armëve për të përmbushur kërkesën në rritje të Rusisë, siç bënë të ditur ekspertët.