Sot ka kufizime të lëvizjes dhe bllokime të pjesshme të qarkullimit në disa segmente të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Kjo për shkak të tubimit që zhvillohet në orën 12:00, pra në mesditë nga Adriatik Lapaj.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Tiranë, masat e ndërmarra janë në përputhje me ligjin “Për Tubimet” dhe synojnë garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti publik.
Bllokimet prekin segmentin nga Ura e Dajtit e deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali”, duke filluar nga ora 11:00 dhe deri në përfundim të tubimit.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të mëtejshme të qarkullimit të automjeteve edhe në të tjera akse rrugore.
Policia apelon për mirëkuptimin e qytetarëve, duke iu kërkuar të shmangin përdorimin e automjeteve në këto zona dhe të përdorin rrugë alternative, për të lehtësuar qarkullimin e për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve në tubim.
Masat ndërmerren me qëllim shmangien e pengesave dhe sigurimin e një mjedisi të qetë e paqësor për qytetarët dhe pjesëmarrësit në tubim.