Aktualitet

Turizmi, italianët nuk i ndahen Shqipërisë, u rritën me 7.1% në janar-prill!

Shqipëria turistike duket se po mban mbërthyer pas vetes italianët që mbeten grupi me rritjen më të qëndrueshme. Në peshë janë të dytët pas Kosovës. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se në janar-prill 2025, turistët nga Italia u rritën me 7.1% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur shënonin mbi 281 mijë hyrje.

Kjo tendencë parashikohet të mbetet e ngjashme edhe në vazhdim duke e lidhur këtë me afërsinë që kanë dy vendet, por edhe me aksesin e thjeshtë përmes disa formave të transportit. Italianët po preferojnë vendin tonë gjithmonë e më shumë për turizmin e fundjavave teksa tradicionalisht edhe turizmi shëndetësor e marrëdhëniet e biznesit kanë qenë prezentë. Ata janë grupi i dytë më i madh i turistëve që vijnë në Shqipëri, me 12.3% të totalit.

Kosova që në peshë mban vendin e parë, me 34% të totalit, shënoi deri në fund të prillit një total prej rreth 834 mijë hyrjesh me një rënie prej 6.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kur u duk se Kosova po “rikthehej” në normalitetin e saj pas 2024-ës kur hyrjet e shqiptarëve të Kosovës pësuan luhatje për shkak të liberalizimit të vizave duket se pranvera ka përsëritur të njëjtën luajtje.

Konkretisht, marsi dhe prilli i këtij viti kanë shënuar rënie në raport me marsin dhe prillin e një viti më parë. Kosova është një treg që falë liberalizimit të vizave tashmë po eksploron si destinacione fundjave vende të tjera të Bashkimit Europian ndërkohë që edhe gjatë verës vitin e shkuar kishte një interes në rritje për vende si Greqia.

Në katër muajt e parë të vitit një pjesë e mirë e vizitorëve janë në rritje nga vende të ndryshme, kryesisht Europa një tendencë që është lakuar edhe nga turoperatorët.

Konkretisht hyrjet nga Gjermania ishin me një rritje 41.2%, nga Franca 39.9, Zvicra me 20%, Austria me 48. Po kështu në rritje ishin edhe hyrjet nga vende si Kina apo India edhe pse numrat e tyre janë modeste.

Në total, deri në fund të prillit në vendin tonë hynë 2.44 milion të huaj me një rritje 5% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Turoperatorët presin që edhe viti 2025 të ketë ecuri pozitive të sektorit duke e bazuar këtë në sinjalet e dhëna nga kontratat me garanci të cilat janë në rritje, kërkesat nga tregjet e reja, si dhe promovimi ndërkombëtar që vijon në mediat e huaja.

Në linja të përgjithshme, turoperatotët presin që ky vit të ketë një rritje që luhatet mes 10-15%. Grupet e organizuara me interes për Shqipërinë vijojnë të mbeten polakët, çekët, hungarezët, sllovakët, spanjollët. Ata që po vijnë masivisht në formë individuale janë italianët, por edhe vizitorë nga Europa Perëndimore./ Monitor