Aktualitet

U ekstradua nga Dubai, GJKKO-ja lë në burg Florenc Çapjan!

Gjykata e Posaçme la në qeli Florenc Çapjan, të shumëkërkuarin e drejtësisë, i cili u ekstradua pak ditë më parë nga Dubai drejt Tiranës për llogari të autoriteteve shqiptare. Çapja u la në “Arrest në burg” për veprën penale “Sigurim i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, në bashkëpunim. Përpara togave të zeza, Çapja, i cili ishte në arrati prej 7 vitesh, mohoi të kishte lidhje me ngjarjen ku u tentua vrasja e Sokol Sanxhaktarit, duke i kërkuar prokurorisë të gjejë prova për të vërtetuar akuzën ndaj tij.

Mbrojtësi ligjor i Çapjas paraqiti në sekretari një procesverbal të një seance të procesit “Plumbi i Artë”, ku ka dëshmuar bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani. Procesverbali përmban disa pasazhe në të cilat është përmendur Florenc Çapja nga bashkëpunëtori i drejtësisë.

Përveç ekspozimit të tij në dosjen “Plumbi i Artë”, Florenc Çapja është dënuar me burg përjetë me vendim të formës së prerë për vrasjen e Gentjan dhe Nezir Beqirit, ngjarje e shënuar në vitin 2012 në Elbasan.

Po ashtu, akuzohet për vrasjen e oficerit Fadil Mema në vitin 2006. Gjykata e Elbasanit pushoi çështjen ndaj tij me argumentin se nuk gjeti prova të mjaftueshme për ta implikuar Çapjan në këtë ngjarje, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Durrësit.

Vendimit iu bë rekurs nga prokuroria në Gjykatën e Lartë, teksa me vendim të shkallës së tretë të gjyqësorit kjo çështje është rikthyer për rigjykim në Elbasan.