Aktualitet

U kapën me kokainë dhe heroinë, dy në pranga në Vlorë!

Prodhim e shitje narkotikësh, dy të arrestuar në flagrancë në Novoselë të Vlorës. Në kuadër të operacionit policor të koduar “VORTEX” e të finalizuar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale, me mbështetjen e inteligjencës informative, atyre iu sekuestruan rreth 3.4 kilogramë kokainë dhe 133 gramë heroinë, me vlerë afro 810 mijë euro.

Njoftimi zyrtar: 

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale, me mbështetjen e inteligjencës informative, operacioni policor i koduar “VORTEX”.  Transportonin sasi të lëndëve narkotike në Vlorë, për t’ua shitur shtetasve të tjerë që i shpërndanin në doza, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga dy shtetas.

Sekuestrohen rreth 3.4 kilogramë kokainë dhe 133 gramë heroinë, me vlerë rreth 810 000 euro.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit V.J., 53 vjeç, dhe K.M., 37 vjeç, të dy banues në Fier.

Në fshatin Novoselë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin V. J. dhe pasagjer shtetasin K.M., në të cilin, gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se po transportohej në qytetin e Vlorës, për t’u shitur.

Në vijim të veprimeve, strukturat e DVP Vlorë mbështetur dhe nga shërbimet e DVP Fier, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit V. J., në Fier, ku gjetën dhe sekuestruan 2 kg e 979 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 133 gramë lëndë të dyshuar narkotike heroinë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike në sasi të mëdhaja në Fier, e transportonin atë drejt Vlorës, ku më pas ua shitnin shtetasve të tjerë, të cilët e shpërndanin në doza.

Lënda narkotike, së bashku me 3 peshore elektronike, 3 celularë dhe automjetin që këta shtetas përdornin për transport, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.