Aleksandër Krrashi, shoferi i betonieres që u përplas nga pas nga katër të rinj në Fushë Prezë, duke shkaktuar vdekjen e tyre, është paraqitur sot përpara gjykatës. Ai është lënë në burg pa afat, ndërsa ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me ngjarjen tragjike.
Ai ka treguar se kur makina e goditi nga pas, ka dalë menjëherë dhe ka tentuar të hapë dyer por nuk ka mundur pasi makina ka marrë flakë.
“Makina shpërtheu në flakë dhe ishte e pamundur ta ndihmoja më tej. E njoftova dhe familjen time dhe më pas shkova në shtëpi. Pas ndërrimit të rrobave, bashkë me katër familjarë të mi, shkova në Komisariatin e Kamzës ku dhe u dorëzova”, ka thënë ai përpara gjykatësve.
Gjykata vendosi të lërë në burg shoferin 24-vjeçar Aleksandër Krrashi, detyrim paraqitje u vendos për menaxherin e firmës, Danjel Koxha. Ndërsa për kushëririn e 24-vjeçarit, Valentin Krrashi u caktua arrest në burg, i cili akuzohet se e largoi nga vendi i ngjarjes.
Seanca u drejtua nga gjyqtari Edvan Vecani. Ndaj 24-vjeçarit, prokuroria ka ngritur veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Sipas materialit të referuar nga policia rrugore, shoferi nuk ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimi, ndërkohë që para përplasjes fatale kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Po ashtu prokurori i çështjes ka deklaruar se betonieria nuk kishte dokumentacionet përkatëse.
Nga aksidenti humbën jetën Enejdi Laçi dhe tre pasagjerët në mjetin e tij Erildi Laçi, 20 vjeç, Enrikejd Kurti, 24 vjeç dhe Andi Laçi, 22 vjeç.