Aktualitet

U përplasën me agjentët e BKH në biznesin e Agron Kapllanajt, arrestohen 3 persona. Si nisi sherri mes tyre

Tre persona janë arrestuar lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e të martës në aksin rrugor Fier-Patos jashtë ambienteve të një biznesi në pronësi të Agron Kapllanajt, ish-kryebashkiakut të Mallakastrës.

Në pranga kanë rënë dy nipat e tij Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj, si dhe Gerald Kollçaku, të cilët akuzohen se kanë goditur në krye të detyrës agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerë të Forcave Operacionale.

Lexo edhe: Dyshohet se bleu vota për PD-në në Lushnjë! Prokuroria e Fierit ia kalon dosjen e 38-vjeçarit SPAK-ut, akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje!

Kapllanaj ka deklaruar se përplasja me agjentët ka nisur për shkak se ata kishin ngritur një dron për të filmuar dhe kur njerëzit e tij u kishin kërkuar të largoheshin, ata u kishin thënë se interesoheshin për të blerë tokë.

Hetuesit e BKH ishin me shërbim në Fier dhe mësohet se arsyetimin e dhënë për njerëzit e Kapllanajt e kanë përdorur si justifikim për vëzhgimin që po bënin. Sipas burimeve, konflikti fillimisht nisi nga fjalë fyese, e më pas përfundoi në përplasjet fizike mes palëve.

Lexo edhe: Zgjedhjet, KQZ: Mbi 60 mijë zarfe të dërguara deri tani në 6 shtete!

Sipas të shoqëruarve të Kapllanajt, agjentët e operacionaljes nuk janë vetëidentifikuar, e as nuk kanë pasur logo dalluese. Ata deklaruar se agjentët u janë dukur si njerëz të dyshimtë, ndaj dhe ka nisur përplasja mes tyre.

Ende nuk dihet arsyeja përse efektivët kishin zbarkuar në terren, por bëhet me dije se ata ishin nën hetimin e një çështjeje.

Gjithnjë sipas burimeve, agjentët kanë zbarkuar në terren në zona ku ata mendohet se mund të konsumohen vepra penale, qofshin ato krime zgjedhore, apo vepra të tjera kriminale.

Policia njoftoi ditën e djeshme sakaq se efektivët janë goditur për shkak të detyrës.

“Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme. Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, njoftoi policia.