Aktualitet Politikë

Zgjedhjet, KQZ: Mbi 60 mijë zarfe të dërguara deri tani në 6 shtete!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ ka nisur shpërndarjen e fletëve të para të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, deri tani janë dorëzuar 60 mijë e 294 zarfe.

Deri tani, janë dërguar fletët e votimit për qarqet Durrës, Berat, Dibër e Kukës, për shqiptarët që jetojnë në Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Britani të Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas KQZ-së, 57 mijë e 646 zarfe me fletët e votimit janë nisur deri më tani në diasporë për zgjedhjet e 11 Majit. Deri më tani janë dërguar fletët e votimit për votues të qarqeve Durrës, Berat, Dibër, Elbasan dhe Kukës, të cilët jetojnë në shtetet si Italia, Greqia, Gjermania, Franca, Britania e Amerika.

Zarfet e dërguara u përkasin bashkatdhetarëve nga qarqet Durrës 24 mijë e 872, Berat 15 mijë e 502, Dibër 9 mijë e 582, Elbasan 10 mijë e 298 dhe Kukës 40 zarfe.

Të ndara sipas shteteve, janë dërguar në Itali 27 mijë e 251 zarfe, në Greqi 16 mijë e 714, në Gjermani 5 mijë e 580, në Mbretërinë e Bashkuar 3 mijë e 887, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 2 mijë e 596 dhe në Francë 1 mijë e 5 zarfe.

Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.

Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit e po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.

Fletët e votimit do t’u mbërrijnë bashkatdhetarëve tanë në Europë nga sot e deri më 22 prill dhe në kontinentet e tjera, nga sot e deri më 25 prill. Pasi ta marrë zarfin me fletën e votimit, zgjedhësi nga jashtë duhet ta dërgojë atë në KQZ brenda tre ditëve nga momenti i marrjes. Ata nuk do të shpenzojnë asgjë, pasi posta paguhet nga KQZ-ja.