Aktualitet

SPAK: Hetuesit e BKH në Fier u sulmuan në krye të detyrës!

SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ka konfirmuar incidentin që ndodhi mbrëmjen e të martës kundër hetuesve të saj në Fier nga njerëz dhe të afërm të Agron Kapllanajt, ish-kreu demokrat i Bashkisë së Mallakastrës.

Në një njoftim për shtyp, thuhet se hetuesit e BKH-së dhe punonjësit e policisë, po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të SPAK.

“Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria  Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier.

Të  gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.

SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.

SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”-njofton BKH.

Sipas SPAK, ngjarja a ndodhur rreth orës 19:20 minuta në aksin Fier-Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të arrestuar nga policia në Fier.

Sipas burimeve, bëhet fjalë për dy nipërit e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, Ledjan dhe Klaudio Kapllanajt, si edhe një person tjetër, Gerald Kollçaku.

SPAK gjithashtu u bën thirrje të gjithë qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre.